Patatja gjermane “pushton” tregun, çmimet bien me 22%!

Tregu shqiptar po përjeton një rënie të ndjeshme të çmimit të patates, e ndikuar nga rritja e importeve, kryesisht nga Gjermania. Aktualisht, në tregjet e pakicës në Tiranë, patatja shitet me rreth 60 lekë për kilogram, nga mbi 100 lekë që ishte një vit më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, çmimi mesatar në shkurt 2026 arriti në 77.9 lekë për kg, rreth 22% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin kryesor e ka pasur rritja e importeve, të cilat në dy muajt e parë të vitit u shtuan me mbi 65%, duke arritur në më shumë se 5 milionë kilogramë.

Patatet e importuara hyjnë në treg me një çmim mesatar prej rreth 50 lekë për kilogram, duke ushtruar presion të fortë mbi prodhuesit vendas. Ndërsa konsumatorët përfitojnë nga çmimet më të ulëta, fermerët shqiptarë po përballen me konkurrencë të fortë dhe kosto më të larta prodhimi.

Situata lidhet edhe me mbiprodhimin në Gjermani, ku prodhimi i vitit 2025 arriti nivele rekord. Tepricat e mëdha kanë detyruar eksportin me çmime minimale, duke rritur ndjeshëm furnizimin në tregjet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë.

Ekspertët e bujqësisë paralajmërojnë se kjo situatë mund të ndikojë negativisht në prodhimin vendas nëse vijon gjatë.
Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje dhe politika subvencionuese për të përballuar konkurrencën.

Nga ana tjetër, tregtarët shprehen se kërkesa për patate të importuara është rritur ndjeshëm.
Ndërkohë, pritet që zhvillimet e muajve në vijim të përcaktojnë ecurinë e çmimeve në treg.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033