Papa Leo XIV kërkon paqe të qëndrueshme në Gaza

Papa Leo XIV, gjatë takimit me presidentin izraelit Isaac Herzog, bëri thirrje për lirimin e pengjeve dhe arritjen e menjëhershme të një armëpushimi të përhershëm në Gaza.

Papa Leo XIV priti sot në Vatikan presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, ku theksoi urgjencën për një armëpushim të qëndrueshëm në Rripin e Gazës. Sipas deklaratës së Selisë së Shenjtë, biseda u përqendrua në “situatën tragjike” të popullsisë palestineze dhe nevojën për zgjidhje të menjëhershme humanitare.

Kreu i Kishës Katolike nënvizoi gjithashtu rëndësinë e lirimit pa kushte të pengjeve që mbahen ende nga Hamasi, duke përsëritur mbështetjen e Vatikanit për zgjidhjen me dy shtete si rruga e vetme drejt një paqeje të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ai kërkoi rinisjen e menjëhershme të negociatave dhe garantimin e hyrjes së sigurt të ndihmës humanitare në zonat më të prekura.

Herzogu, përmes një postimi në platformën X, falënderoi Papën për mikpritjen e ngrohtë dhe theksoi se udhëheqësit fetarë duhet të jenë të bashkuar në kërkesën për lirimin e pengjeve. Sipas tij, ky hap do të ishte një fillim i domosdoshëm drejt një të ardhmeje më të mirë për mbarë rajonin.

Vatikani publikoi disa foto nga takimi në pallatin apostolik, ku Papa dhe Herzogu shfaqen duke shtrënguar duart, pa buzëqeshje, duke reflektuar seriozitetin e situatës. Nuk u dhanë detaje mbi kohëzgjatjen e takimit, por theksi në deklaratë ishte dukshëm më i madh krahasuar me komunikatat e zakonshme të Papës për takimet me liderë të huaj.

Në javët e fundit, Papa Leo XIV ka rritur ndjeshëm tonin e thirrjeve të tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Vetëm javën e kaluar, ai e cilësoi apelin e tij për paqe si “të fortë” gjatë audiencës publike në Sheshin e Shën Pjetrit.

Deklarata e sotme e Vatikanit përmbante më shumë hollësi se zakonisht, duke përfshirë qëndrime të qarta për respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe nevojën për hapa konkretë drejt një zgjidhjeje të përhershme të konfliktit.

Ndaj Postimin: