Një ndryshim i rëndësishëm në taksimin e konsumit pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Paketa Fiskale 2027 propozon uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës në 6 për qind, ndërsa norma standarde rritet në 21 për qind dhe ajo për turizmin në 10 për qind.
Sipas draftit të Ministrisë së Financave, në listën e produkteve që përfitojnë uljen përfshihen buka, mielli, qumështi, vezët, orizi, makaronat, vaji, mishi, peshku, frutat dhe perimet, si dhe produkte të tjera bazë. Norma e reduktuar do të zbatohet si për produktet vendase, ashtu edhe për ato të importuara.
Por sa do të ndihet kjo në xhepat e qytetarëve?
Ministria parashikon që, nëse ulja reflektohet plotësisht në çmime, ushqimet përkatëse mund të kushtojnë rreth 11.7 për qind më pak. Megjithatë, kjo mbetet e kushtëzuar nga mënyra se si bizneset do ta përcjellin uljen te konsumatori.
Nga ana tjetër, rritja e TVSH-së standarde nga 20 në 21 për qind pritet të shtrenjtojë produktet dhe shërbimet e tjera.
Ndryshimi prek edhe turizmin, ku TVSH-ja për akomodimin dhe shërbimet përkatëse në strukturat e përcaktuara rritet nga 6 në 10 për qind.
Sipas përllogaritjeve, ulja e TVSH-së për ushqimet i kushton buxhetit 12.8 miliardë lekë në vit, ndërsa rritja e normës standarde pritet të sjellë 10.6 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Në përfundim, reforma parashikon një efekt negativ prej rreth 1.6 miliardë lekësh në buxhetin vjetor.
Projektligji pritet të përcaktojë nëse këto ndryshime do të miratohen, ndërsa për qytetarët sfida mbetet nëse ulja e taksës do të përkthehet realisht në çmime më të përballueshme.