Buxheti për vitin 2025 do të mbulojë financimin e 10 kontratave koncesionare.
Sipas të dhënave në projektbuxhet, pagesat për këto kontrata do të arrijnë në 14.2 miliardë lekë, një rritje e vogël krahasuar me 14 miliardë lekë që pritet të shpenzohen këtë vit. Pra, vitin tjetër do të ketë një shpenzim shtesë prej 204.5 milionë lekë për koncesionet.
Për vitin 2025, pagesat neto vjetore nga njësitë qeveritare për kontratat koncesionare/PPP do të jenë rreth 14.2 miliardë lekë, që përbën vetëm 2.2% të të ardhurave tatimore të pritshme për vitin 2024, të cilat janë 655.7 miliardë lekë. Kjo vlerë është brenda kufijve ligjorë të përcaktuar për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Në këtë buxhet, pagesat më të mëdha do të shkojnë për koncesionin e Rrugës së Arbrit me 3.36 miliardë lekë, ndërsa kontratat në sektorin e shëndetësisë për sterilizimin dhe shërbimet laboratorike do të marrin nga 1.9 miliardë lekë secila. Koncesioni për skanimin në doganë do të përfitojë 1.5 miliardë lekë, dhe për inceneratorin e Tiranës janë planifikuar 1.2 miliardë lekë.
Pagesat për kontratat koncesionare:
- Rruga e Arbrit: 3.36 miliardë lekë
- Autostrada Milot-Morinë: 720 milionë lekë
- Porti i Jahteve Orikum-Dukat: 956 milionë lekë
- Skanimi në dogana: 1.573 miliardë lekë
- Kontrolli Mjekësor (CHECK UP): 876 milionë lekë
- Sterilizimi: 1.9 miliardë lekë
- Dializa: 960 milionë lekë
- Shërbimet laboratorike: 1.9 miliardë lekë
- Infrastrukturë arsimore në Tiranë: 715.1 milionë lekë
- Inceneratori i Tiranës: 1.27 miliardë lekë
Pagesat për koncesionet:
- Viti 2024: 14,023,580 mijë lekë
- Viti 2025: 14,231,130 mijë lekë
- Rritja: +207,550 mijë lekë
Gjithashtu, buxheti i vitit 2025 përfshin mbështetje për pensionet dhe rindërtimin. Janë parashikuar 16 milionë euro për indeksimin e pensioneve dhe 37 milionë euro për bonusin e fundvitit. Për përfundimin e procesit të rindërtimit pas tërmetit të 2019, janë planifikuar 50 milionë euro. Shpenzimet e pushtetit vendor janë parashikuar në 899 milionë euro, duke reflektuar një rritje prej 13.2% krahasuar me vitin 2024, për një total prej 89.9 miliardë lekë.
Sa u përket sektorëve me prioritet, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të marrin financimin më të madh, duke mbështetur objektivin për një rritje ekonomike prej 3.9% për periudhën 2025-2027.