Policia godet kultivimin e kanabisit me llamba, arreston disa persona dhe procedon punonjës të OSHEE, ndërsa një i dyshuar vijon në arrati.
Autoritetet në Malësinë e Madhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Neonët”, duke zbuluar ambiente të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e kanabisit me llamba. Operacioni solli arrestimin e dy personave, shpalljen në kërkim të një tjetri dhe ndalimin e disa punonjësve të OSHEE nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sipas Policisë, në pranga ranë Lazer Pepaj, 69 vjeç, dhe Sander Pepaj, 48 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Kristjan Pepaj, 33 vjeç, të tre banues në fshatin Lulashpepaj. Ata dyshohen për kultivim dhe përpunim të bimëve narkotike me anë të pajisjeve elektrike.
Gjatë operacionit u kontrolluan tre ambiente në fshatin Hot, përfshirë dy banesa dhe një stallë, të përshtatura posaçërisht për rritje dhe tharje të kanabisit. Aty u sekuestruan 1110 bimë kanabisi, si dhe 1 kilogram e 800 gramë lëndë narkotike në proces tharjeje.
Për kultivimin janë përdorur pajisje të shumta, ndër të cilat 300 llamba ndriçimi, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë. Këto mjete siguronin temperatura dhe kushte të kontrolluara për rritjen e bimëve.
Në vijim të hetimeve, u ndaluan punonjësit e OSHEE-së Gëzim Hoxha, 57 vjeç, Lodovik Vulaj, 34 vjeç, Xhuljano Çeraj, 24 vjeç dhe Adil Selmanaj, 57 vjeç. Ata dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike për ambientet ku kryhej kultivimi.
Po ashtu, u proceduan penalisht edhe dy punonjës të tjerë të OSHEE, E. H., 57 vjeç dhe A. H., 41 vjeçe, për të njëjtën akuzë të shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim.
Policia theksoi se vijon puna për kapjen e Kristjan Pepajt, i cili dyshohet se kishte rol drejtues në këtë aktivitet. Ai është shpallur zyrtarisht në kërkim.
Materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë e Shkodrës për veprat “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura me pajisje teknologjike do të vijojnë me intensitet.


