Qiratë në ngjitje dhe qyteti që po largon familjet, ja si Tirana xhiron 350 mln euro në vit nga qiratë

Në Tiranë po bëhet çdo ditë më e vështirë të gjesh një apartament me qira me çmim të përballueshëm, pasi kërkesa rritet, oferta ulet dhe çmimet ngjiten në nivele që shumë familje nuk mund t’i përballojnë.

Qiratë në kryeqytet vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke e kthyer strehimin në një sfidë serioze për shumë familje me të ardhura të zakonshme. Brenda vijës së verdhë është e vështirë të gjesh një apartament nën 400 euro, një çmim që disa vite më parë konsiderohej i zakonshëm.

Familjet që nuk mund të përballojnë blerjen e një apartamenti janë të detyruara të qëndrojnë me qira, pavarësisht kostove që rriten çdo vit. Në shumë raste, edhe zonat që konsideroheshin periferike nuk ofrojnë më çmime të ulëta.

Sipas agjentëve imobiliarë, apartamentet me qira 300–350 euro janë shumë të pakta dhe sapo listohen, merren menjëherë. Zona si “Astiri” dhe “Fresku” mbeten ndër të paktat ku mund të gjendet ende një ofertë e tillë.

Stela Dhami nga “Colliers International Albania”, në prononcimin e saj për revistën “Monitor” thekson se çmimet në tregun e qirave afatgjata janë rritur me 20 deri në 30% brenda një viti, sidomos në zonat pranë qendrës së Tiranës ku kërkesa mbetet e lartë.

Një raport i “Deloitte” tregon se qiratë në Shqipëri gjeneruan rreth 350 milionë euro gjatë vitit 2024, një rritje prej 10% krahasuar me vitin paraardhës, duke reflektuar kërkesën e qëndrueshme për strehim.

Rritja e kërkesës nga turizmi ka shtyrë më tej shtrenjtimin e qirave. Apartamentet 1+1 në qendër apo pranë zonave të preferuara jepen sot me 500 deri në 800 euro në muaj, ndërsa në zonat më elitare çmimi shkon deri në 900 euro.

Zona pranë Stadiumit “Air Albania” mbetet ndër më të shtrenjtat për qiratë e apartamenteve 2+1, ku çmimet arrijnë deri në 1,800 euro në muaj, duke tejkaluar me shumë nivelet e disa kryeqyteteve të rajonit.

Në ish-Bllok, qiratë për apartamentet 1+1 arrijnë rreth 650 euro, ndërsa për 2+1 rreth 900 euro. Edhe në Rrugën e Elbasanit, banesat 2+1 janë shtrenjtuar ndjeshëm duke arritur deri në 1,100 euro në muaj.

Në Komunën e Parisit, çmimet e qirave vazhdojnë të ruajnë trend rritës. Apartamentet 1+1 jepen mesatarisht me 650 euro në muaj, ndërsa 2+1 arrijnë deri në 800 euro, sidomos pranë zonave të qendrës së re urbane.

Edhe zona e Liqenit Artificial ka përjetuar rritje të ndjeshme të qirave, duke qenë një zonë e preferuar për shkak të afërsisë me hapësirat rekreative. Aty apartamentet 1+1 arrijnë deri në 900 euro, ndërsa 2+1 deri në 1,400 euro.

Agjentët shpjegojnë se komplekset moderne në këtë zonë po përdoren gjithnjë e më shumë si hapësira zyrash, gjë që ndikon të ulë ofertën për banim afatgjatë dhe të rrisë çmimet.

Kërkesa më e lartë për banesa me qira vjen nga familjet që nuk arrijnë të blejnë shtëpi dhe që presin një ulje të çmimeve në treg, ulje që nuk duket se do të ndodhë së shpejti.

Këto familje preferojnë të jetojnë pranë institucioneve publike, shkollave dhe linjave të transportit urbane, duke kërkuar zona si Komuna e Parisit, Liqeni, Selman Stërmasi apo rrugët kryesore të qendrës.

Në zonat “Don Bosko” dhe “Zogu i Zi” çmimet janë rritur gjithashtu, duke reflektuar kërkesën e vazhdueshme nga banorë që kërkojnë një balancë midis çmimit dhe aksesit drejt qendrës.

Në “Kinostudio” dhe “Fresk”, ku dikur çmimet konsideroheshin të përballueshme, qiratë janë shtrenjtuar për shkak të rritjes së kërkesës nga studentë dhe punonjës të rinj që punojnë në qendër, por nuk e përballojnë të jetuarit pranë saj.

Rritja e çmimeve lidhet edhe me zhvendosjen e shumë banesave nga qiratë afatgjata drejt qirave ditore. Turistët dhe të huajt po preferojnë të qëndrojnë në apartamente për shkak të çmimeve konkurruese krahasuar me hotelet.

Platforma si Airbnb kanë ndikuar fort në këtë ndryshim. Në Tiranë çmimi mesatar ditor është rreth 46 euro, ndërsa fitimi neto varet nga zënia mesatare e apartamentit gjatë muajit.

Rritja e numrit të të huajve që jetojnë dhe punojnë përkohësisht në kryeqytet, sidomos ata të sektorit të teknologjisë, ka shtuar presionin mbi tregun e qirave në zonat urbane.

Si rezultat, për shumë qytetarë, strehimi po kthehet nga një nevojë bazike në një barrë të rëndë financiare, duke e transformuar Tiranën në një qytet ku të jetuarit me qira nuk është më zgjidhje, por sfidë.

Ndaj Postimin: