Shqipëria ka rrjetin rrugor dhe hekurudhor me dendësinë më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat janë publikuar nga OECD në Raportin e Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026.
Sipas raportit, Shqipëria ka vetëm 13 kilometra rrugë për 100 kilometra katrorë territor, niveli më i ulët mes gjashtë ekonomive të rajonit.
Në anën tjetër, Mali i Zi regjistron rreth 74 kilometra rrugë për 100 kilometra katrorë.
Por problematika është edhe më e theksuar në transportin hekurudhor.
Shqipëria ka vetëm 0.9 kilometra linjë hekurudhore për 100 kilometra katrorë, ndërsa Serbia, që ka dendësinë më të lartë në rajon, arrin në rreth 4 kilometra.
OECD vëren gjithashtu se rrjeti hekurudhor shqiptar është tkurrur me më shumë se 28 për qind, krahasuar me periudhën 2014–2016. Sipas raportit, kjo është rënia më e fortë në rajon.
Problemi nuk lidhet vetëm me gjatësinë e linjave. Transporti hekurudhor i mallrave në Shqipëri mbetet në nivele margjinale, duke bërë që pjesa më e madhe e transportit të mallrave të realizohet përmes rrugëve.
Këta tregues reflektohen edhe në vlerësimin e përgjithshëm për infrastrukturën. Në klasterin “Infrastruktura dhe Ndërlidhja”, Shqipëria renditet e gjashta mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, me 33 pikë, kundrejt mesatares 100 të Bashkimit Europian.
Sipas OECD-së, dendësia e rrjetit rrugor shqiptar është vetëm 7.6 për qind e nivelit të BE-së, ndërsa ajo hekurudhore arrin në 16.1 për qind.
Raporti evidenton edhe përparime në fusha të tjera. Shqipëria ka arritur praktikisht nivelin e BE-së në mbulimin 4G dhe ka përmirësuar kostot e energjisë elektrike.
Por, sipas OECD-së, këto përparime nuk kanë kompensuar dobësitë në transportin fizik, ku vendi vijon të ketë një hendek të konsiderueshëm me standardet europiane.