Një tjetër tarifë për naftën, 40 milionë euro barrë e re në vit.

Në kulmin e krizës së çmimeve, karburantet në Shqipëri pritet të përballen me një tjetër barrë fiskale.

Qeveria propozon vendosjen e një tarife të re për naftën, e cila, sipas relacionit të projektligjit për krijimin dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë, parashikohet të jetë 3 lekë për litër.

Me këtë nivel, qeveria llogarit të arkëtojë rreth 3.75 miliardë lekë, ose afërsisht 40 milionë euro në vit. Të ardhurat do të përdoren për blerjen e rezervës së naftës, kostot e depozitimit dhe mirëmbajtjes.

Tarifa do të përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave, ndaj niveli prej 3 lekësh për litër mbetet për momentin një vlerë e supozuar.

Megjithatë, vetë relacioni pranon se tarifa do të shtojë koston në zinxhir dhe do të ndikojë në çmimin final për konsumatorin. Në praktikë, nafta mund të shtrenjtohet me 3 lekë për litër të tjera.

Kjo i shtohet barrës ekzistuese fiskale, ku përfshihen TVSH-ja, akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, tarifa e skanimit, taksat bashkiake dhe tarifa e rilicensimit.

Sipas të dhënave të paraqitura, taksat zënë rreth 53% të çmimit final të naftës, ose rreth 90 deri në 100 lekë për litër.

Rezerva e sigurisë parashikohet të krijohet për një periudhë 5-vjeçare, duke e çuar efektin financiar të tarifës në rreth 200 milionë euro.

Sasia e rezervës llogaritet nga 43.6 deri në 49 mijë ton në vit. Në një nga skenarët, rezerva do të jetë 43.6 mijë ton, ku 17.4 mijë ton janë naftë bruto, 13 mijë ton diesel dhe 8,720 ton benzinë, ndërsa pjesa tjetër karburant avioni dhe gaz i lëngshëm.

Vetëm blerja e karburanteve llogaritet në 39.4 milionë euro në vit, ndërsa depozitimi kushton 2.6 milionë euro.

Rezerva do të menaxhohet nga një Autoritet Shtetëror, ngritja e të cilit parashikohet të kushtojë 60 milionë lekë, ndërsa funksionimi 220 milionë lekë në vit.

Shoqata e Hidrokarbureve e ka kundërshtuar modelin, duke e konsideruar tarifën një “taksë të fshehtë” dhe ka ngritur shqetësime edhe për faktin se autoriteti i ri mund të blejë dhe shesë naftë pa procedura prokurimi publik.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033