Nis urbanizimi i bllokut të banimit në lagjen “18 Tetori”, investim për përmirësimin e infrastrukturës.
Ka nisur zbatimi i projektit për urbanizimin e bllokut të banimit në lagjen “18 Tetori”, në Rajoni Nr. 4 të Bashkisë Lushnjë.
Investimi synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone.
Projekti parashikon sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve “Myfit Vokopola”, “Altin Mino”, degëzimit të saj, si edhe rrugës “Gani Dranga”. Krahas tyre do të ndërtohen trotuare, bordura, rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha, ndriçimi publik dhe elementë të tjerë të nevojshëm të infrastrukturës.
Punimet u inspektuan nga kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, e cila e cilësoi këtë investim si një premtim të mbajtur ndaj banorëve të lagjes “18 Tetori”. Sipas saj, ndërhyrja do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të lëvizjes, sigurisë dhe cilësisë së jetës në këtë zonë.
Banorët e kanë mirëpritur nisjen e punimeve, duke e konsideruar investimin si një nevojë të kahershme. Me përfundimin e projektit, pritet që lagjja “18 Tetori” të ketë një infrastrukturë moderne dhe standarde më të mira shërbimi, në funksion të komunitetit dhe zhvillimit urban të qytetit të Lushnjës.