Këtë të hënë ka nisur në Belgjikë gjykimi për vrasjen e shtetasit shqiptar Ardit Spahiu, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në kryeqytetin Bruksel. Çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, në kompleksin gjyqësor Justitia, nën masa të rrepta sigurie.
Në bankën e të akuzuarve janë nëntë persona, të dyshuar për përfshirje në një vrasje të lidhur me narkotrafikun ndërkombëtar. Sipas hetimeve, viktima, 38 vjeç, u ekzekutua rreth orës 17:45 në rrugën “Condor”, në zonën Molenbeek-Saint-Jean.
Nga të dhënat e administruara, një person i maskuar dhe i armatosur me mitraloz të pajisur me silenciator qëlloi në breshëri ndaj Spahiut. Në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja, ndërsa viktima u godit nga nëntë plumba. Ekspertiza mjekoligjore paraprake ka vlerësuar se ekzekutimi mund të jetë përfunduar në trotuar, pasi Spahiu ishte rrëzuar i plagosur rëndë.
Hetimet kanë evidentuar se viktima dyshohet se ishte e përfshirë në trafikun e drogës, si pjesë e një grupi rival, çka ka sjellë dyshime për një konflikt të vazhdueshëm mes grupeve kriminale shqiptare. Motivet e mundshme përfshijnë përplasje për kontroll territori, vjedhje të një sasie prej rreth 50 kilogramësh kokainë apo borxhe financiare.
Një rol kyç në zbardhjen e çështjes ka pasur dekriptimi i platformës së komunikimit Sky ECC, i përdorur nga rrjete kriminale, i cili ka zbuluar komunikime të lidhura me organizimin e atentatit.
Një nga të pandehurit kryesorë, Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja, u arrestua në shtator 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ekstradua në Belgjikë në dhjetor të po atij viti. Procesi gjyqësor pritet të përcaktojë përgjegjësitë penale dhe motivet e plota të kësaj vrasjeje.