Autostradat shqiptare do të mbikëqyren nga sisteme të reja inteligjente që identifikojnë shkeljet dhe lëshojnë gjoba automatike në kohë reale
Autoritetet shqiptare kanë nisur testimin dhe implementimin e një sistemi të avancuar për monitorimin e trafikut në autostradat kryesore të vendit. Teknologjia e re përfshin kamera inteligjente që identifikojnë automatikisht çdo shkelje të rregullave të qarkullimit, duke gjeneruar gjobat përkatëse në mënyrë elektronike.
Sistemi funksionon në këtë mënyrë: në momentin që konstatohet një shkelje, kamerat regjistrojnë pamjet dhe të dhënat e mjetit. Më pas, informacioni kalon në filtrin e operatorëve dhe i përcillet Policisë së Shtetit, e cila pas verifikimit, vendos dhe dërgon gjobën përmes sistemit elektronik.
Aktualisht, monitorimi është në fazë prove në disa pika strategjike, përfshirë zonën e Golemit pranë stacionit të trenit, mbikalimet e Spillesë 1 dhe Spillesë 2, segmentin “Zham Sektor”, si dhe në Bishtin e Zhurit dhe Rrogozhinë. Paralelisht, testime po kryhen edhe në akse të tjera rrugore të rëndësishme, raporton gazetari Ndrçim Gjoshi.
Qëllimi përfundimtar është mbulimi i mbi 3,600 kilometrave të rrugëve kombëtare të inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si pjesë e projektit më të gjerë “Smart City”. Kjo nismë synon jo vetëm rritjen e sigurisë rrugore, por edhe disiplinimin e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut po përmbyll testimet teknike dhe softuerike të sistemit. Në të njëjtën kohë po përfundon infrastruktura në terren për 200 kilometrat e para të rrugëve ku do të aplikohet teknologjia inteligjente.
Aktivizimi i plotë i sistemit të gjobitjes automatike pritet të ndodhë së shpejti, me sinjalizime të qarta dhe të dukshme për drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këto akse. Autoritetet bëjnë thirrje për respektim të rregullave, pasi monitorimi do të jetë i vazhdueshëm dhe i saktë.