Turistët vendas dhe të huaj po rezervojnë strukturat akomoduese në Divjakë, ku fluksi i pritshëm pritet të tejkalojë vitet e mëparshme
Zonat bregdetare të Divjakës dhe Dumresë janë duke u kthyer në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për pushimet verore. Strukturat akomoduese dhe bizneset e shërbimit kanë nisur prenotimet për sezonin, me një rritje të dukshme të interesit nga turistë vendas dhe të huaj.
Operatorët turistikë janë angazhuar për të përballuar fluksin në rritje, duke shtuar kapacitetet akomoduese dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve në hotele, bujtina dhe restorante përgjatë brezit ranor. Ajo që e dallon këtë zonë është plazhi i qetë, pa mjete lundruese, që ofron siguri dhe qetësi për pushuesit.
Sipas drejtuesve lokalë, kjo rritje e numrit të turistëve vjen si rezultat i investimeve strukturore të bizneseve private në sektorin e hotelerisë dhe përmirësimeve në rrjetin e furnizimit me ujë. Vitin e kaluar, Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve siguroi furnizim të pandërprerë me ujë 24 orë në ditë gjatë gjithë sezonit turistik, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Një nga strukturat më të mëdha në zonë, “Divjaka Resort”, pritet të mirëpresë një numër më të lartë pushuesish këtë vit, krahasuar me sezonet e kaluara. Drejtuesit e resortit kanë konfirmuar se interesimi për prenotime ka nisur që herët, duke sinjalizuar një sezon të suksesshëm.
Rritja e shtretërve dhe ndërtimi i “guest houses” të reja në zonën Divjakë–Karavasta janë një tjetër tregues i zhvillimit të qëndrueshëm turistik. Kjo rritje vjen pavarësisht sfidave me infrastrukturën rrugore dhe të aksesit, të cilat autoritetet lokale synojnë t’i adresojnë në të ardhmen e afërt.
Divjaka vazhdon të mbetet një perlë natyrore brenda Parkut Kombëtar të Karavastasë, ku ndërthurja e bukurive bregdetare me biodiversitetin e parkut krijon një atraksion unik për vizitorët.
Televizioni “Apollon” intervistoi menaxherin e “Divjaka Resort”, i cili deklaroi se përkushtimi i bizneseve për përmirësimin e shërbimeve është i dukshëm dhe synimi është që çdo pushues të largohet me një përvojë të paharrueshme nga kjo zonë e veçantë turistike.