Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit mëngjesin e sotëm në SPAK, ku do të dëshmojë për ngjarjen e 21 janarit. Ai do të merret në pyetje nga prokurori Alfred Shehu, në cilësinë e personit që ka dijeni për vrasjen e katër protestuesve në bulevard në vitin 2011, kur Edi Rama, asokohe drejtues i opozitës, protestonte para zyrës së tij kryeministrore.
Paraqitja e Berishës në Prokurorinë e Posaçme vjen pas refuzimit të dy fletëthirrjeve të mëparshme dhe akuzave që ai ka drejtuar ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, se po bën propagandë.
Fletëthirrja e tretë iu dorëzua të hënën, kur Berisha shkoi për zbatimin e masës “detyrim paraqitje” në lidhje me aferën “Partizani”, e cila ka kaluar për gjykim. Fillimisht u caktua që ai të paraqitej të premten, por për shkak të një udhëtimi jashtë vendit, data u zhvendos për sot.
SPAK po heton ngjarjen e 21 Janarit, të cilën drejtësia e vjetër e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve: Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.


