“Nga Skeletet e Fabrikave tek Zhvillimi i Pronave Publike” – Rama prezanton vizionin për Shqipërinë 2030

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin ambicioz “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, i cili synon transformimin dhe zhvillimin e pronave publike.

Programi ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së administratës shtetërore dhe krijimin e partneriteteve për të nxitur përfitime ekonomike në sektorin publik.

“Sot nis një fazë e re për pronat publike, ku shteti jo vetëm që nuk do të zhvishet nga pjesëmarrja në zhvillim, por do të jetë një aktor aktiv në krijimin e vlerës dhe përfitimeve në funksion të interesit publik,” deklaroi Rama gjatë prezantimit.

Kryeministri theksoi se shumë asete publike, si skeletet e fabrikave dhe ndërmarrjeve të vjetra, vazhdojnë të cenojnë peizazhin urban dhe rural të vendit. Sipas tij, këto asete janë pasojë e privatizimeve të dështuara të së kaluarës, që nuk sollën zhvillim, por degradim të pronës publike.

Rama siguroi se qasja e re është e bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe synon krijimin e një profili të ri për sektorin publik si një sipërmarrës modern. Ai vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes së shtetit si partner në projekte zhvillimore, duke shmangur lëshimin pa kriter të pronave publike pa përfitime të matshme për interesin e përgjithshëm.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i programit është përdorimi i pronave publike për të lehtësuar investimet private. “Shpesh, zhvillimi i pronave private has pengesa për shkak të ndërthurjes me pronat shtetërore. Me këtë program, u japim mundësi investitorëve të përdorin këto prona në mënyrë efektive, duke zgjidhur problemet që deri më sot kanë bllokuar investimet,” shpjegoi kryeministri.

Nëpërmjet këtij instrumenti, institucionet shtetërore do të mund të zhvillojnë pronat që kanë në funksion të interesave publike, ndërsa sektori privat do të përfitojë nga një proces i thjeshtuar dhe i drejtë për qasje ndaj aseteve publike.

Rama gjithashtu kritikoi proceset e së kaluarës, ku shteti shpesh dorëzonte pronat për çmime simbolike pa marrë përfitime konkrete. “Këto praktika jo vetëm që penguan zhvillimin, por edhe zvarritën investimet private, duke mbetur shpesh thjesht në letër,” tha ai.

Programi i ri synon t’i japë fund kësaj situate dhe të krijojë një model bashkëpunimi ku përfitimet ndahen mes shtetit dhe sektorit privat, duke nxitur zhvillimin urban dhe ekonomik.

Pritet që zbatimi i “Urat e reja për Shqipërinë 2030” të ndryshojë jo vetëm mënyrën se si menaxhohen pronat publike, por edhe peizazhin fizik dhe ekonomik të vendit. Sipas Ramës, ky proces do të përmirësojë jo vetëm infrastrukturën publike, por edhe klimën e investimeve në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera