Kryeministri izraelit deklaron se asnjë zgjidhje për Gazën nuk mund të përfshijë Hamasin, ndërsa konfirmon objektivat ushtarake të Tel Avivit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dhënë një deklaratë të fortë para takimit të tij të dytë me presidentin amerikan Donald Trump, duke theksuar se asnjë plan për të ardhmen e Gazës nuk mund të përfshijë në asnjë mënyrë praninë e Hamasit.
Duke folur nga Capitol Hill në Uashington, Netanyahu theksoi vendosmërinë e Izraelit për të realizuar të gjitha objektivat e shpallura të luftës. Sipas tij, fitorja përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, asgjësimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, si dhe eliminimin e çdo kërcënimi të ardhshëm që mund të vijë nga Rripi i Gazës.
“Do të thotë që nuk ka më Hamas. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë,” u shpreh Netanyahu para gazetarëve, duke theksuar se ky është një nga parimet bazë të strategjisë izraelite.
Ai bëri të ditur se zbatimi i kësaj strategjie do të përfshijë lëvizje që mund të jenë shumë të dhimbshme, jo vetëm për palën izraelite, por sidomos për Hamasin. Sipas tij, objektivi përfundimtar mbetet fitorja ushtarake dhe lirimi i pengjeve që mbahen nga militantët palestinezë.
Pavarësisht presionit në rritje nga bashkësia ndërkombëtare për më shumë transparencë dhe vetëpërmbajtje, Netanyahu refuzoi të zbulojë detaje mbi planet e ardhshme të Tel Avivit. “Ne po përballemi me një armik mizor dhe cinik. Nuk kemi asnjë detyrim të ndajmë strategjinë tonë me askënd,” deklaroi ai.
Këto deklarata vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të jenë të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për uljen e përshkallëzimit dhe nisjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për krizën në Gaza.
Takimi i dytë mes Netanyahu dhe Trump pritet të zhvillohet në orët në vijim dhe është parë si një sinjal politik i rëndësishëm në dritën e zhvillimeve aktuale.