“Në Apollon me Çimin” – Fermeri Gjoni Liko: Bujqësia ka nevojë për më shumë mbështetje nga shteti.
Në intervistën e ditës “Në Apollon me Çimin”, fermeri Gjoni Liko, 63 vjeç, nga fshati Krutje e Sipërme, Njësia Administrative Krutje, Bashkia Lushnjë, rrëfen eksperiencën e tij mbi 26-vjeçare në bujqësi dhe pemëtari. Me punë dhe përkushtim, ai ka ngritur një fermë moderne, ku kultivon rreth dy hektarë me dardha të varietetit Santa Maria, si edhe Truska, prodhime që furnizojnë tregun vendas, por edhe eksportohen.
Sipas fermerit Liko, prodhimi grumbullohet nga pikat e grumbullimit në zonë dhe më pas tregtohet në Kosovë dhe në vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai thekson se bujqësia shqiptare vazhdon të përballet me vështirësi të shumta.
Një nga shqetësimet kryesore, sipas tij, mbetet mungesa e fuqisë punëtore, rritja e çmimeve të pesticideve dhe jo cilësore,ku vetë fermeri pesticidet i merrë në vëndet e BE , si edhe abuzimet me çmimet në treg. Ai kërkon ndërhyrjen e shtetit për ndërtimin e magazinave frigoriferike, të cilat do t’u jepnin fermerëve mundësinë ta ruanin prodhimin dhe ta hidhnin në treg në periudha kur kërkesa është më e lartë dhe çmimet më të favorshme.
Fermeri Gjoni Liko tregon se në vitet e kaluara ka përfituar nga skemat e subvencionimit, por sot nuk aplikon më, pasi mendon se mbështetja financiare nuk është e mjaftueshme. Sipas tij, shteti duhet të bëjë më shumë për fermerët punëtorë, veçanërisht për ata të Myzeqesë, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të vendit.
Gjatë intervistës, ai shpreh mirënjohje për drejtuesin e Njësisë Administrative Krutje, Ledian Goga, të cilin e cilëson një mbështetës të vazhdueshëm të fermerëve të zonës. Po ashtu, vlerëson kryetaren e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, për takimet e drejtpërdrejta me fermerët dhe dëgjesën ndaj problematikave të tyre. Nga ana tjetër, ai kritikon institucionet e sektorit të bujqësisë, të cilat, sipas tij, shpesh janë më pranë politikës sesa pranë fermerëve.
Në përfundim të intervistës,
“Në Apollo me Çimin” me gazetarin Ndriçim Gjoshi, fermeri Gjoni Liko shprehet se bujqësia mbetet shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare dhe se, nëse vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, fermerët duhet të mbështeten me politika dhe subvencione të ngjashme me ato të vendeve të rajonit dhe të BE-së.