Mungesa e fletëve plastike mbi trafikndarëset në autostradën Fier–Lushnjë–Rrogozhinë po ngre shqetësime për sigurinë rrugore.
Pamjet e filmuara përgjatë autostradës Fier–Lushnjë–Rrogozhinë tregojnë mungesën e fletëve plastike të vendosura mbi trafikndarëset, të cilat shërbejnë për të penguar dritat e automjeteve që lëvizin në kahun e kundërt, sidomos gjatë natës dhe në segmentet me kthesa apo rrethrrotullime.
Në shumë pjesë të këtij aksi kanë mbetur vetëm mbajtëset metalike, ndërsa fletët plastike janë dëmtuar ose janë hequr plotësisht. Mungesa e tyre ndikon në uljen e sigurisë, pasi dritat e mjeteve që kryqëzohen mund të pengojnë shikueshmërinë e drejtuesve të automjeteve, veçanërisht gjatë lëvizjes natën.
Ky aks rrugor është ndër më të rëndësishmit në vend, pasi lidh kryeqytetin me qytetet e jugut të Shqipërisë dhe përshkohet çdo ditë nga mijëra automjete.
Ndërkohë, autostrada është shpesh edhe skenë aksidentesh, për shkak të kalimeve të paligjshme të këmbësorëve dhe fermerëve nga njëri krah në tjetrin. Pikërisht në këto segmente, fletët plastike shërbenin edhe si një element shtesë sigurie.
Edhe pse dëmtimi i tyre ka kohë që vihet re, deri më tani nuk është ndërhyrë për zëvendësimin e tyre. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë nga institucionet përgjegjëse rikthimin e këtyre elementeve të sinjalistikës rrugore, në përputhje me standardet e sigurisë, për të rritur sigurinë e qarkullimit në këtë autostradë.