Një ditë pas arrestimit të Ilir Metës me urdhër të SPAK dhe vendosjes së masës “detyrim paraqitje”, Monika Kryemadhi, deputetja e Partisë së Lirisë, mbajti një konferencë për shtyp në Kryesinë e Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se gjatë arrestimit të Metës, në kamera shihej edhe një person që e godiste atë. Ajo theksoi se do të respektojë vendimin e Gjykatës, por e përshkroi procesin si një lëvizje të orkestruar politikisht.
“Do të respektoj drejtësinë, edhe pse jam e bindur se është drejtësi e diktuar nga Rama. Edhe Ghandi ka bërë burg. Ata nuk kanë asnjë argument të fortë, ndaj iu duhej ta fusnin Metën në burg. Ka dalë një person që e godet Ilirin, kush është ky? Policia që kontrollon Portin e Durrësit, ndërkohë që për inceneratorët nuk po hetohet asgjë,” tha Kryemadhi.
Ajo gjithashtu kritikoi SPAK për zbulimin e të dhënave hetimore, duke pretenduar se hetimet po fokusohen vetëm në opozitë dhe jo në maxhorancë. “SPAK nuk ka hetuar për operacionet e djalit të Ramës dhe për shpenzimet e paguara. A po hetohet kjo? Apo vetëm ne jemi nën hetim?”
Në vijim të konferencës, Kryemadhi përmendi edhe situatën personale të saj dhe të familjes, duke theksuar se është ndier e fyer nga akuzat e SPAK për pastrim parash dhe duke sqaruar se operacionet shëndetësore të familjes së saj janë paguar prej saj. Ajo gjithashtu shtoi se ka dorëzuar dokumente që mbështesin pretendimet e saj dhe se e gjithë kjo situatë është një proces politik që ka nisur pas denoncimit të saj për çështjet e inceneratorëve në Elbasan, Tiranë dhe Fier.