Monika Kryemadhi: “Do flas vetëm në gjykatë, sulmet ndaj meje janë shpifje”

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka dhënë deklarata të forta pasi doli nga ambientet e SPAK, ku ishte në kuadër të masës “detyrim paraqitje.”

Ajo theksoi se nuk ka dhënë shpjegime para prokurorëve dhe se do të flasë vetëm para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

“Nuk jap më asnjë shpjegim për asgjë. Prokurorët mund të përdorin deklaratat e mia kundër meje. Do flas vetëm në gjykatë,” u shpreh Kryemadhi.

E pyetur për marrëdhënien e saj me ish-bashkëshortin, Ilir Meta, Kryemadhi tha se nuk ka asnjë lidhje me të dhe nuk e ka uruar për Vitin e Ri. Ajo akuzoi kundërshtarët e saj për “iluminimin” e Metës me shpifje ndaj saj, duke shtuar se shumë nga këto shpifje do të marrin përgjigjen e merituar deri në vitin 2025.

“Uroj që ata që shpifin kundër meje dhe zotit Meta të marrin përgjigje. Armiqtë e mi janë ata që gjithë ditën dhe natën shpifin kundër Monika Kryemadhit,” deklaroi ajo.

Në lidhje me aferën e inceneratorëve, Kryemadhi konfirmoi se do të vijojë të denoncojë këtë çështje në SPAK. Ajo kritikoi kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, për atë që e quajti një “linçim mediatik” të mbështetur nga fondet e inceneratorëve.

“Zoti Rama dhe Veliaj duhet të hapin borderotë e portaleve dhe mediave që paguhen me paratë e inceneratorëve. Veliaj duhet të vijë dhe të përgjigjet këtu, jo të përdorë strehime politike,” tha ajo, duke shtuar se drejtësia duhet të vendoset mbi të vërteta dhe jo mbi intimidime.

Në lidhje me zgjedhjet dhe opozitën, Kryemadhi shprehu mbështetjen për opozitarizmin dhe rikthimin e demokracisë së brendshme, duke theksuar se beteja nuk ka të bëjë me individët, por me mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

“Unë nuk i uroj humbje opozitës. Do të bëj maksimumin që ajo të fitojë. Çështja nuk lidhet me individët, por me drejtësinë, demokracinë dhe transparencën ndaj qytetarëve,” përfundoi Kryemadhi.

Deputetja gjithashtu kritikoi gjendjen aktuale ekonomike të shqiptarëve, duke thënë se ata paguajnë më shumë për dritat, ujin dhe ushqimet, ndërsa shtoi se deri në 11 maj, shumë gjëra mund të ndryshojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera