Mirlinda Karçanaj thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit kibernetik: Irani na dëmtoi rëndë.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, ka theksuar sot rëndësinë e bashkëpunimit institucional në luftën kundër krimit kibernetik, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Posaçëm për luftimin e dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike.

Karçanaj bëri një kronologji të sulmit kibernetik masiv që Shqipëria përjetoi dy vjet më parë, duke shpjeguar se ky ishte një nga sulmet më të sofistikuara dhe të sponsorizuara nga shteti iranian.

Ajo tregoi se AKSHI, si institucioni i parë i sulmuar, u përball me katër skuadra të specializuara, që kishin vite që vepronin në fushën e krimit kibernetik. “Dy vjet më parë, ne nuk kishim asnjë ide se në çfarë sulmi po përballeshim,” tha Karçanaj, duke përshkruar se edhe pse masat e sigurimit u morën sa ishte e mundur, qëllimi i sulmuesve ishte të fshinin të dhënat dhe sistemet e shtetit shqiptar. Sipas saj, sulmi synonte të kthehej Shqipëria në një “epokë të gurit”, ku qytetarët nuk do të kishin më asnjë informacion të ruajtur në sistemet shtetërore.

Drejtoresha e AKSHI-t nënvizoi se falë pajisjeve të sigurisë dhe veprimeve të shpejta, ekipi i AKSHI-t arriti të izolojë sistemet e sulmuara dhe, për fat të mirë, vetëm 10% e të dhënave u fshinë. “Ishin momente shumë të vështira, nuk e dinit se kush po na sulmonte. Ne vendosëm të mbyllnim të gjitha sistemet për të mbrojtur informacionin,” tha ajo, duke përshkruar situatën si të pasigurt dhe të pasqaruar.

Karçanaj vlerësoi ndihmën e ekspertëve të “Microsoft” dhe ekipit të FBI-së, të cilët ofruan asistencë të jashtëzakonshme në hetimin dhe trajtimin e sulmit. “Ekspertët e Microsoft-it dhe FBI-së erdhën fizikisht dhe filluan analizën, dhe pas një muaji punë të përbashkët, arritën në përfundimin se ishim sulmuar nga katër skuadra të Iranit,” tha ajo. Sipas Karçanaj, këto skuadra kishin rolet shumë të qarta, një për të nisur sulmin, një tjetër për të lëvizur brenda infrastrukturës, dhe një skuadër të tretë për shkatërrimin e të dhënave.

Drejtoresha e AKSHI-t theksoi se, pas këtij sulmi, vetëm një pjesë e vogël e sistemit dhe të dhënave të fshira u mundësua të rikuperohej, ndërkohë që një pjesë tjetër e dëmit mbeti e paregjistrueshme. Kjo ngjarje ka theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar dhe institucional për të luftuar krimin kibernetik, duke e bërë këtë një prioritet për sigurinë kombëtare.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera