Një fenomen shqetësues po merr përmasa alarmante në shkollat e cikleve të ndryshme në qytetin e Lushnjës dhe më gjerë: mësues që e kanë kthyer profesionin në një tregti private, ku “kurset” e zhvilluara në shtëpitë e tyre janë kthyer në burim presioni, fitimi dhe, për fat të keq, kusht për të marrë notë kaluese në shkollë.
Prindër të shumtë pyesin me të drejtë: A është normale që një mësues të mos japë shpjegimin e duhur në klasë, por ta kursejë për kurset me pagesë në shtëpi? Apo që nxënësit që nuk ndjekin kursin të mos trajtohen njësoj me të tjerët?
Në realitetin tonë kjo është kthyer në rregull:
- Nxënësit e klasave 1-5, 6-9 dhe gjimnaz janë viktimë e kursit të detyruar, ku pagesa mujore arrin deri 2500-5000 mijë lekë të reja për nxënës për orë kalendarike mujore, ndërsa nota në shkollë varet nga pjesëmarrja në kursin privat të mësuesit.
Sjellja e mësuesit ndryshon rrënjësisht në klasë në varësi të pjesëmarrjes në kurs. Prindërit ndihen të detyruar të paguajnë, ndryshe fëmijët e tyre penalizohen.
Në këtë sistem të sëmurë arsimor, “ABC-ja mësohet në shtëpi”, ndërsa ora e mësimit kthehet në formalitet pa përmbajtje, pa përgjegjësi dhe pa respekt për misionin e mësuesit.
Këto “mësuese me të zeza si shpirti”, siç i quajnë prindërit e revoltuar, pasurohen mbi djersën e një punëtori, duke i kthyer shtëpitë në klasa ilegale, pa tatim, pa faturë, por me fuqi absolute mbi të ardhmen e një fëmije.
Kush i kontrollon? Kush mban përgjegjësi? A paguajnë taksa për këto të ardhura? A ka shteti një mekanizëm për të ndaluar këtë formë të re të zhvatjes së qytetarëve nën maskën e arsimit?
Kjo sëmundje që zvarritet prej më shumë se 30 vitesh nuk është më thjesht abuzim etik – është shkelje e rëndë e ligjit, e barazisë dhe e dinjitetit të nxënësve. Deri kur do të heshtin institucionet përballë këtij deformimi të profesionit më fisnik?
Arsimi nuk është pazari i radhës! Dhe fëmijët nuk janë klientë, por nxënës që meritojnë dije, jo presion.
Ka ardhur koha për një hetim të plotë dhe ndëshkim real ndaj çdo mësuesi që e ka kthyer shkollën në burim fitimi privat, ndërsa prindërit në burim të detyruar financimi, të vdesësh pa lindur fare!
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


