Mesazh sensibilizues nga punonjëset e shëndetësisë në Lushnjë

Punonjëset e shëndetësisë në Lushnjë dhanë një mesazh të fuqishëm gjatë aktiviteteve të Tetorit Rozë, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë.

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për “Tetorin Rozë”, bluzat e bardha në Lushnjë zhvilluan një aktivitet me qëllim edukimin dhe informimin e grave mbi rëndësinë e kontrolleve periodike dhe vetëkujdesit shëndetësor. Ato përcollën mesazhin e qartë se parandalimi nis nga ndërgjegjësimi.

Gjatë takimit, mjeket dhe infermieret ndanë përvoja reale nga praktika e tyre e përditshme, duke theksuar se zbulimi në fazë të hershme i sëmundjes është jetik për trajtimin e suksesshëm. Ato i bënë thirrje grave të mos neglizhojnë asnjë shenjë të pazakontë dhe të kryejnë kontrolle të rregullta.

Një lajm i rëndësishëm për komunitetin ishte fakti se aparatura e mamografisë tashmë funksionon plotësisht në qytetin e Lushnjës. Kjo shmang nevojën e udhëtimeve drejt qyteteve të tjera dhe u jep grave mundësinë për t’u kontrolluar pranë vendbanimit të tyre.

Shërbimi i mamografisë është falas dhe i aksesueshëm për të gjitha gratë, veçanërisht ato që jetojnë në zonat rurale. Sipas përfaqësueseve të sektorit shëndetësor, ky hap përbën një arritje të rëndësishme për shëndetin publik të grave në qark.

Ky aktivitet është pjesë e një nisme më të gjerë të Bashkisë Lushnjë dhe institucioneve shëndetësore për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe për promovimin e kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit të grave.

Mesazhi përmbyllës i punonjëseve të shëndetësisë ishte i qartë: “Mos prisni shenja të rënda — kontrolli i hershëm është shpëtimi juaj.”

Nga: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: