Me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët, Ilir Rrapaj shkon për të dëshmuar në komisionin e sterilizimit.

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë po vazhdon sot mbledhjet e tij për të hedhur dritë mbi çështjen e koncesionit të sterilizimit.

Në kuadër të hetimeve, disa dëshmitarë të rëndësishëm janë thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre dhe për të sqaruar detajet e kësaj marrëveshjeje shumë të diskutueshme.

Lista e dëshmitarëve përfshin biznesmenin Ilir Rrapaj dhe partnerin e tij italian Umbro Staccini, dy personat kryesorë pas kompanisë ‘SaniService,’ që në vitin 2015 fituan koncesionin prej 100 milionë euro për sterilizimin. Këta dy biznesmenë janë thirrur për të dhënë më shumë informacion mbi procesin dhe detajet e fitimit të kontratës.

Përveç tyre, në komision pritet të dëshmojë edhe ministrja aktuale Anila Denaj, e cila në periudhën kur u dha koncesioni, mbante postin e drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në atë kohë, Denaj kishte ngritur shqetësime dhe paraqitur ankesë për çmimet e larta që ishin vendosur për sterilizimin, duke u shprehur kundër marrëveshjes së aprovuar.

Koncesioni 10-vjeçar për sterilizimin, me një vlerë prej rreth 100 milionë dollarësh, iu dha kompanisë ‘SaniService,’ një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj zotëronte pjesën më të madhe të aksioneve përmes kompanisë së tij ‘Investital LLC’. Përveç kompanisë së tij, bashkëpunonin edhe disa kompani italiane si “Servizi Italia,” “Tecnosanimed,” dhe “U.Jet S.r.l” e Staccinit.

Biznesmeni Ilir Rrapaj aktualisht ndodhet në burg që nga 16 gushti 2024, i arrestuar për akuza të lidhura me këtë çështje. Gjithashtu, i arrestuar për përfshirje në të njëjtën dosje është edhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

Pritet që dëshmitarët të ofrojnë informacione të rëndësishme që do të ndihmojnë komisionin të kuptojë nëse ky koncesion është dhënë në mënyrë të drejtë dhe transparente. Të ftuarit do të pyeten mbi procesin e përzgjedhjes, çmimet e larta dhe detaje të tjera të kontratës.

Komisioni Hetimor është i përkushtuar për të nxjerrë në pah të gjitha të vërtetat që lidhen me koncesionin dhe për të zbuluar çdo shkelje të mundshme që ka ndodhur gjatë këtij procesi.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera