Në një mbledhje të zhvilluar një ditë më parë, Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale shqyrtoi në parim projektligjin “Për barazinë gjinore”, i cili ka për qëllim forcimin e mbrojtjes kundër diskriminimit dhe garantimin e një trajtimi të barabartë për burrat dhe gratë në çdo fushë të jetës. Ligji synon të vendosë standarde të reja për përfshirjen gjinore në administratë, arsim, punësim dhe politikë, duke ndërtuar bazat për një shoqëri më të drejtë, të barabartë dhe demokratike.
Gjatë diskutimeve, u theksua domosdoshmëria e zbatimit të këtij ligji në praktikë, për të shmangur diskriminimin e fshehtë dhe për të fuqizuar realisht rolin e grave në vendimmarrje dhe në jetën publike.
Një nga zërat aktivë në këtë diskutim ishte deputeti i qarkut Fier, mjeku kirurg Asforal Haxhiu, përfaqësues i Lushnjes, i cili u shpreh se barazia gjinore duhet të kthehet në kulturë institucionale dhe jo vetëm në një detyrim ligjor. Ai vlerësoi rëndësinë që ky projektligj ka për komunitetin dhe ndikimin pozitiv që do të ketë në përfshirjen e grave në jetën shoqërore dhe profesionale.
Përfaqësimi i Haxhiut dhe figurave të reja politike në Kuvend shihet si një vlerë e shtuar, jo vetëm për zonën që ata përfaqësojnë, por edhe për frymën e re që po sjellin në diskutimet parlamentare, ku Lushnja zë vendin e saj me dinjitet dhe zë.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


