MBETURINAT PUSHTOJNË NJËSINË KOLONJË TË LUSHNJËS.

Mbeturinat kanë pushtuar Njësinë Administrative Kolonjë në Lushnjë, duke u kthyer në një shqetësim të përditshëm për banorët. Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë situatën problematike në hyrje të fshatit, në brendësi të tij, pranë pallateve, në kanalet kulluese dhe në zonën përreth fushës së sportit.

Mbetje të shpërndara gjithandej, kanale të kthyera në vendgrumbullime mbeturinash dhe mbetje kockore të kafshëve të mëdha pranë hapësirave ku luajnë fëmijët. Kjo është panorama me të cilën përballen banorët, ndërsa mungesa e pastrimit ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë e institucioneve vendore.

Përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe pastrimin e territorit i takon njësisë administrative dhe strukturave përkatëse. Drejtuesi i kësaj njësie, Arbër Abdurramani, duhet t’u kushtojë vëmendjen e duhur shqetësimeve të qytetarëve dhe të marrë masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.

Drejtuesit e njësive administrative nuk janë aty vetëm për të zënë karriget politike, por për t’u shërbyer qytetarëve dhe për t’u përgjigjur nevojave të tyre. Banorët nuk kanë nevojë për heshtje, por për veprime konkrete.

Shqetësim shtesë për disa banorë mbetet edhe prania e ujërave të zeza dhe derdhja e tyre në kanale pranë zonave të banuara.

Nga ana tjetër, edhe qytetarët duhet të tregojnë përgjegjësi, duke i hedhur mbeturinat në kontenierë dhe jo jashtë tyre apo në kanale.

Kolonja ka nevojë për pastrim, ndërhyrje dhe përgjegjësi institucionale, sepse një mjedis i pastër nuk është luks, por detyrim ndaj çdo qytetari.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033