Masakër në Meksikë, dhjetë të vrarë 120 km larg Mexico City.

Dhjetë persona humbën jetën dhe të paktën shtatë të tjerë u plagosën në një sulm të tmerrshëm të shtunën në mbrëmje, kur katër persona të armatosur sulmuan një lokal në Santiago de Querétaro, Meksikë.

Sulmi ndodhi në një lokal të njohur të qytetit, Los Cantaritos, rreth 120 milje larg Mexico City-t, duke kthyer natën e argëtimit në një tragjedi të përgjakshme.

Pamjet e sigurisë tregojnë se autorët mbërritën me një kamionçinë pranë lokalit rreth orës 21:30. Secili prej tyre ishte i pajisur me armë të gjata dhe të rënda, duke u përgatitur për një sulm brutal. Menjëherë pasi dolën nga automjeti, ata nisën të qëllonin drejt lokalit, duke synuar njerëzit që ishin ulur brenda pa asnjë paralajmërim.

Një video tronditëse nga brenda lokalit tregon sulmuesit duke hapur zjarr pa ndërprerje mbi klientët. Brenda disa sekondash, plumbat nisën të “fluturonin” në çdo drejtim, duke mbjellë panik dhe frikë mes njerëzve që ishin mbledhur për të kaluar një mbrëmje të qetë. Njerëzit u panë duke bërtitur, duke kërkuar strehë poshtë tavolinave ose në dysheme për të shpëtuar nga të shtënat.

Pasi qëlluan për disa minuta, autorët hipën sërish në automjet dhe u larguan nga skena me shpejtësi. Sapo mbërriti policia, skena ishte tronditëse: 10 persona të vdekur, përfshirë shtatë burra dhe tre gra, dhe të paktën shtatë të plagosur rëndë. Shefi i sigurisë publike të qytetit, Juan Luis Ferrusca, e përshkroi ngjarjen si një akt brutal që la pasoja të rënda për komunitetin.

Policia nisi menjëherë një hetim dhe arriti të gjurmojë targën e kamionçinës së përdorur nga sulmuesit. Ata zbuluan automjetin disa milje larg, në një qytet të afërt, ku ishte braktisur dhe ishte në flakë. Deri tani, një i dyshuar është arrestuar lidhur me ngjarjen, ndërsa policia vazhdon hetimet për të zbuluar motivet dhe për të arrestuar të tjerët të përfshirë.

Kjo ngjarje ka tronditur komunitetin lokal, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në zonat turistike të Meksikës. Tani, banorët dhe autoritetet kërkojnë përgjigje dhe veprime konkrete për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera