Marrëveshje për bashkëpunim në kontrollin e Cannabis-it mjekësor dhe industrial

Ditën e sotme, një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi u nënshkrua mes Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabisit (AKKC), Linda Pustina.

Ky dokument ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit për parandalimin dhe hetimin e shkeljeve ligjore lidhur me përdorimin e cannabis-it mjekësor dhe industrial.

Palët do të bashkëpunojnë në shkëmbimin e informacionit për aktivitete të paligjshme që kanë të bëjnë me kultivimin, prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e cannabis-it. Ky bashkëpunim do të jetë një hap i rëndësishëm për të garantuar ligjshmërinë dhe rregullin në këtë sektor të ndjeshëm.

Për të siguruar një implementim efikas të marrëveshjes, Prokuroria e Përgjithshme dhe AKKC do të krijojnë një Grup Koordinues të Përbashkët. Ky grup do të ketë përgjegjësinë të organizojë takime periodike, për të shqyrtuar progresin e bërë dhe për të adresuar çdo problematikë që mund të lindë gjatë implementimit të marrëveshjes.

Marrëveshja përfshin një sërë angazhimesh konkrete. Prokuroria do të ofrojë informacion të detajuar për kandidatët dhe punonjësit e AKKC-së, si dhe për punonjësit e subjekteve të licencuara. Ky informacion do të përfshijë verifikimin e pasurisë dhe lidhjet e mundshme të figurave të caktuara në industrinë e cannabis-it.

Nga ana tjetër, AKKC angazhohet të dërgojë dokumentacionin e plotë te Prokuroria, për të mundësuar verifikimin e kandidatëve, punonjësve dhe subjekteve të licencuara. Kjo do të përfshijë gjithashtu provat dhe ekspertizën teknike që mund të jenë të nevojshme për hetime dhe ndjekje penale, në rastet e shkeljeve të mundshme.

Ky bashkëpunim i ri synon të rrisë efikasitetin e mbikëqyrjes dhe të sigurojë një sistem më të fortë kontrolli për cannabis-in mjekësor dhe industrial në Shqipëri. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, palët kanë shprehur angazhimin e tyre për të luftuar krimin dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj industrie të licencuar.

Zbatimi i këtij bashkëpunimi është një hap i rëndësishëm për sigurimin e transparencës dhe për ndihmën ndaj autoriteteve ligjzbatuese në menaxhimin e kësaj industrie’se ndjeshme dhe me rritje të shpejtë në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera