Berisha kërkon Komisionin e së Vërtetës: Kush ka përdorur Sky ECC dhe EncroChat?

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjale në parlament, hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kërkoi ngritjen e një Komisioni të së Vërtetës për të zbardhur përdorimin e platformave të koduara të komunikimit, Sky ECC dhe EncroChat.

Sipas tij, këto mjete janë përdorur nga politikanë dhe figura të rëndësishme për qëllime kriminale.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se debati nuk duhet të devijohet drejt platformave të tjera si TikTok, por të përqendrohet te krimi dhe korrupsioni i nivelit të lartë. Ai u shpreh se disa deputetë dhe vetë kryeministri kanë përdorur nga dy deri në tre llogari në këto aplikacione të fshehta.

“Nuk është TikToku rrugaçi, por EncroChati, ai që përdoret nga trafikantët dhe vrasësit. Krijimi i këtij komisioni është një domosdoshmëri për të nxjerrë në dritë lidhjet mes politikës dhe krimit, sidomos përpara zgjedhjeve,” u shpreh Berisha.

Ai kujtoi rastin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, duke pretenduar se ai kishte lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare dhe përdoronte Sky ECC për të komunikuar për orë të tëra me kryeministrin. Sipas tij, kjo është një provë e qartë e përfshirjes së politikës në veprimtari të dyshimta.

Berisha paralajmëroi se, nëse mazhoranca nuk e pranon ngritjen e Komisionit të së Vërtetës, Partia Demokratike do të publikojë vetë të gjitha dokumentet që i kanë ardhur në dorë. Ai theksoi se bëhet fjalë për një milion faqe materialesh që mund të tronditin skenën politike në vend.

“Ne nuk do të ndalemi! Nëse ju nuk pranoni komisionin, ne do t’i bëjmë publike këto dokumente një nga një. E vërteta do të dalë para shqiptarëve,” deklaroi ai me tone të forta.

Kërkesa e Berishës për krijimin e këtij komisioni ka ngjallur debate të forta në skenën politike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë reagim konkret nga qeveria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera