Një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollah, do të hyjë në fuqi të mërkurën, pasi të dyja palët pranuan një akord të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi marrëveshjen të martën, pas një votimi në kabinetin e sigurisë së Izraelit, ku ajo u miratua me rezultat 10-1.
Konflikti, i cili u përshkallëzua pas luftës në Gaza vitin e kaluar, ka shkaktuar mijëra viktima në të dyja anët e kufirit izraelito-libanez. Armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 4:00 të mëngjesit me orën lokale, konfirmoi Biden nga Shtëpia e Bardhë.
“Ky është një armëpushim i përhershëm,” deklaroi Biden. “Hezbollah dhe grupet e tjera terroriste nuk do të lejohen të kërcënojnë më sigurinë e Izraelit.” Sipas marrëveshjes, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga jugu i Libanit brenda 60 ditëve, ndërsa ushtria libaneze do të marrë kontrollin e zonës për të parandaluar riorganizimin e Hezbollahut.
Ndërkohë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi se çdo shkelje e marrëveshjes do të përballet me kundërpërgjigje të ashpër. “Ne do ta zbatojmë marrëveshjen dhe do të reagojmë fuqishëm ndaj çdo shkeljeje. Kjo na lejon të përqendrohemi në kërcënimin që paraqet Irani, të rifurnizojmë ushtrinë dhe të izolojmë Hamasin,” deklaroi Netanyahu.
Nga ana tjetër, Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, e mirëpriti marrëveshjen, ndërsa Ministri i Jashtëm Abdallah Bou Habib konfirmoi se ushtria libaneze është gati të dislokojë 5,000 trupa në jug të vendit për të siguruar paqen dhe rendin në zonën kufitare.
Presidenti francez Emmanuel Macron përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes, duke e quajtur atë “kulmin e përpjekjeve shumë mujore” në bashkëpunim me SHBA-të dhe autoritetet izraelite e libaneze. Marrëveshja u vlerësua edhe nga Koordinatori i Posaçëm i OKB-së për Libanin, Jeanine Hennis-Plasschaert, e cila apeloi për veprime konkrete për të konsoliduar këtë arritje diplomatike.
Situata ishte e tensionuar
Megjithatë, situata mbeti e tensionuar deri në orët e fundit. Të martën, sulmet ajrore izraelite goditën zona të ndryshme në Liban, përfshirë Beirutin, ku raportohet se kanë humbur jetën të paktën 18 persona. Ushtria izraelite deklaroi se kishte shënjestruar infrastrukturën financiare të Hezbollahut, përfshirë një zyrë këmbimi parash.
Hezbollah vazhdoi gjithashtu me sulme raketore ndaj Izraelit, ndërsa forcat izraelite raportuan se kanë interceptuar disa raketa të lëshuara nga territori libanez, duke shkaktuar alarm në mbi 100 zona të banuara.
Ndërsa disa udhëheqës izraelitë shprehën skepticizëm mbi marrëveshjen, një sondazh i realizuar nga kanali televiziv izraelit Channel 12 zbuloi se 37% e qytetarëve mbështesin armëpushimin, ndërsa 32% janë kundër. Ministri izraelit i Sigurisë, Itamar Ben-Gvir, kritikoi marrëveshjen, duke pretenduar se ushtria libaneze nuk është në gjendje të frenojë Hezbollahun.
Të dyja palët kanë theksuar rëndësinë e kthimit të civilëve në shtëpitë e tyre në jug të Libanit, një kusht kyç i marrëveshjes. Ndërkohë, SHBA dhe Franca do të monitorojnë zbatimin e saj në bashkëpunim me forcën paqeruajtëse të OKB-së, UNIFIL.