Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka prezantuar programet e reja për mbështetje dhe zhvillim profesional të mësuesve, duke përfshirë trajnime falas dhe kredi për strehim me interes zero.
Në një takim me mësuesit e shkollës “Ibrahim Brahja” në Sauk, Ministrja Manastirliu ndau prioritetet e Ministrisë së Arsimit për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe mbështetur mësuesit. Ajo theksoi se skema e re e kualifikimit do të ofrojë mundësi trajnimi falas për mësuesit në të gjitha lëndët, një nismë që do të realizohet në bashkëpunim me universitetet publike dhe pedagogët e tyre.
Ministrja Manastirliu shpjegoi se përgatitja për vitin 2026–2027 përfshin zgjerimin e trajnimeve edhe më të personalizuara, të cilat do të adresojnë nevojat specifike të mësuesve në cikle dhe lëndë të ndryshme. Kjo do të përfshijë edhe trajnime për mësuesit e shkencave natyrore, të cilët do të përfitojnë nga kurse që lidhen me programet laboratorike të kimisë dhe fizikës.
Përsa i përket mbështetjes ekonomike për mësuesit, Manastirliu kujtoi rritjen historike të pagave të mësuesve, e cila u realizua në korrik të vitit 2024. Ajo paralajmëroi se kjo mbështetje do të vijojë dhe do të shtrihet në shumë aspekte të jetës së mësuesve, duke përfshirë një riorganizim të mësimit jashtëshkollor, për të përfshirë programe që lehtësojnë prindërit dhe garantojnë një edukim cilësor për fëmijët.
Ministrja gjithashtu njoftoi vazhdimin e politikave për mbështetje financiare për mësuesit me kredi me interes zero, të cilat do të shërbejnë për strehimin e tyre. Ajo theksoi se një tjetër thirrje do të hapet këtë vit për të mbështetur mësuesit në blerjen e banesës së parë, një program që synon përmirësimin e kushteve të jetesës për ta dhe nxitjen e qëndrueshmërisë në sistemin arsimor.
Këto iniciativa, sipas Manastirliut, janë një pjesë e strategjisë së Ministrisë për të garantuar zhvillimin dhe mbështetje të qëndrueshme për mësuesit, duke siguruar mundësi për rritjen e aftësive të tyre profesionale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.