Mali i Zi emëron ambasadorë të rinj në Kosovë dhe Serbi, deputetët prorusë kundër kandidatit shqiptar

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar ambasadorët e rinj në Prishtinë dhe Beograd, duke plotësuar pas katër vitesh postet e mbetura vakante.

Bernard Çobaj është emëruar përfaqësues diplomatik në Kosovë, ndërsa Nebojsha Gjokoviq do të marrë detyrën në Serbi.

Ndërkohë që kandidatura e Gjokoviqit për në Beograd u miratua pa asnjë kundërshtim, ambasadori i ri në Prishtinë nuk arriti të sigurojë mbështetjen e deputetëve prorusë, Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq, të cilët vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Posti i ambasadorit në Prishtinë kishte mbetur bosh që nga viti 2020, kur Ferhat Dinoshi u tërhoq për shkak të pensionimit. Edhe ambasadori i mëparshëm në Beograd, Tarzan Milosheviq, u largua nga detyra të njëjtin vit, pas ndryshimeve politike në Malin e Zi.

Emërimet e reja vijnë në një kohë kur marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën dhe Serbinë vazhdojnë të jenë një çështje e ndjeshme në politikën e brendshme të vendit.

Vendimi për ambasadorin në Kosovë pritet të shkaktojë reagime, veçanërisht nga forcat politike proserbe, të cilat vazhdojnë të kundërshtojnë politikat shtetërore që njohin pavarësinë e Prishtinës.

Qeveria malazeze, megjithatë, e konsideron këtë hap si një përpjekje për të normalizuar dhe forcuar marrëdhëniet diplomatike me të dyja vendet fqinje, duke riafirmuar angazhimin e saj ndaj politikës së jashtme euro-atlantike.

Ndaj Postimin: