Makina përplas 40-vjeçarin me biçikletë dhe largohet

Një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në aksin nacional Berat–Ura e Kuçit, në fshatin Poshnje, pasi është përplasur nga një automjet që më pas është larguar nga vendngjarja.

I plagosuri, Endri Selfaj, ishte duke lëvizur me biçikletë në momentin kur është goditur nga automjeti. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që e kanë parë të shtrirë në rrugë dhe kanë njoftuar policinë.

Selfaj është transportuar fillimisht me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të plagëve të marra, ai është dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore. Për identifikimin e automjetit që shkaktoi aksidentin dhe kapjen e drejtuesit, janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave përgjatë këtij aksi rrugor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033