Fundjava bëri bashkë banorët e fshatit Luzni, në Bashkinë Dibër, në një festë tashmë tradicionale, që çdo vit rikthen në vendlindje edhe emigrantët shqiptarë.
Muaji gusht është kthyer në një moment të veçantë bashkimi për banorët e kësaj zone, të cilët, pavarësisht largësisë ku jetojnë dhe punojnë gjatë vitit, rikthehen pranë familjeve dhe vendlindjes.
Kënga, vallja dhe traditat e trashëguara brez pas brezi ishin pjesë e festës, duke sjellë në vëmendje pasuritë kulturore dhe folklorike të zonës.
Mes gjelbërimit dhe peizazhit të bukur të maleve të Dibrës, festa mori ngjyrat e një spektakli të vërtetë popullor. Instrumentet tradicionale dhe muzika e zonës shoqëruan banorët gjatë gjithë aktivitetit.
Përmes kësaj feste, Luznia jo vetëm ruan traditat, por edhe përcjell historinë dhe identitetin e saj tek brezat e rinj.
Kjo zonë, e rrethuar nga natyra dhe malet, vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen edhe si një destinacion me potencial turistik.
Një ditë feste, por mbi të gjitha një ditë bashkimi, ku Luznia tregoi se tradita, vendlindja dhe dashuria për rrënjët mbeten ura që bashkojnë njerëzit, pavarësisht se ku jetojnë.