Në sallën e Muzeut të Qytetit u zhvillua dëgjesa publike për miratimin e dokumentit të Planit Vendor për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, ku përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit diskutuan mbi përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve.
Në këtë takim morën pjesë drejtues të Bashkisë Lushnje, specialistë të sektorit të menaxhimit të mbetjeve, përfaqësues të Ndërmarrjes së Pasurisë Publike, drejtues të njësive administrative, si dhe banorë e përfaqësues të komunitetit.
Gjatë dëgjesës u prezantuan objektivat e Planit Vendor për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe masat që synojnë përmirësimin e grumbullimit, administrimit dhe trajtimit të mbetjeve në të gjithë territorin e bashkisë.
Banorët dhe drejtuesit e njësive administrative ndanë mendimet dhe propozimet e tyre për funksionimin e skemës së menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke sjellë edhe problematikat me të cilat përballen në zonat e tyre.
Sipas organizatorëve, të gjitha sugjerimet e mbledhura gjatë dëgjesës publike do të shqyrtohen dhe do të pasqyrohen në dokumentin përfundimtar, me synimin për të ndërtuar një sistem më efikas të menaxhimit të mbetjeve dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit për qytetarët.