Reshjet e shiut që kanë nisur në orët e para të mesnatës vijojnë me intensitet mesatar edhe gjatë ditës së sotme në qytetin e Lushnjes. Deri në këto momente, nuk janë raportuar problematika serioze në rrugët apo zonat urbane, përveç një situate të izoluar në afërsi të një karburanti, ku është ndërhyrë menjëherë nga punonjësit e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike.
Ekipet e kësaj ndërmarrjeje, të udhëhequra nga drejtuesit dhe përgjegjësit e sektorëve, ndodhen në terren në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë që mund të krijohet si pasojë e reshjeve.
Nga një komunikim telefonik me Drejtorin e Emergjencave të Bashkisë Lushnje, zotin Avni Begolli, u bë e ditur se deri në këto momente nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq. Reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës dhe strukturat përgjegjëse do të jenë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
Kjo situatë e kujdesshme vjen si rezultat i punës së Bashkisë Lushnje dhe drejtueses Sefa, ku disa ditë më parë u zhvillua një aksion për pastrimin e pusetave dhe kolektorëve të shkarkimit nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


