LUSHNJË – Nis rehabilitimi i tregut të fruta-perimeve pas zjarrit !

Pas djegies së një pjese të tregut të fruta-perimeve me pakicë pranë stadiumit të Lushnjë, ka nisur puna për rehabilitimin dhe kthimin në normalitet të zonës së dëmtuar.

Punonjësit e Drejtorisë së Pasurisë Publike, me mbështetjen e kryebashkiakes Eriselda Sefa, po punojnë për largimin e mbeturinave dhe pastrimin e ambientit nga dëmtimet e shkaktuara nga zjarri.

Ndërkohë, efektivët e Policisë Bashkiake janë të pranishëm çdo ditë në treg për të monitoruar situatën, për të shmangur problematikat dhe për të garantuar sigurinë për tregtarët dhe qytetarët.

Një shqetësim i vazhdueshëm për mbikëqyrësit e tregut mbetet moszbatimi i rregullave nga disa tregtarë.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, vendosja e çadrave dhe mbulesave mbi tezga pengon pamjet filmike dhe vështirëson monitorimin e plotë të tregut. Kjo situatë konsiderohet problem serioz për sigurinë e ambientit dhe kontrollin e rasteve të mundshme emergjente.

Autoritetet u bëjnë apel tregtarëve që të respektojnë rregullat dhe të shmangin pengimin e sistemit të sigurisë, pasi kamerat janë një element i rëndësishëm për mbrojtjen e tregut dhe identifikimin e çdo problematike.

Një tjetër shqetësim mbetet dalja e tregtarëve të dëmtuar në trotuare për të zhvilluar aktivitetin tregtar. Edhe pse brenda tregut ka hapësira të lira për vijimin normal të punës, disa prej tyre kanë zgjedhur të tregtojnë jashtë ambienteve të përcaktuara.

Kjo situatë po krijon vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe po sjell shqetësime edhe për tregtarët e tjerë që ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të rregullt.

Policia Bashkiake vijon kontrollet dhe monitorimin në terren, duke kërkuar respektimin e rregullave dhe lirimin e trotuareve, të cilat janë në funksion të kalimtarëve dhe jo të aktivitetit tregtar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033