Në prag të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, këngët partizane dhe patriotike u bënë pjesë e një aktiviteti artistik të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve pranë Bashkisë Lushnjë.
Takimi i komplekseve artistike me temë “Këngë partizane dhe patriotike” mblodhi në skenë nxënës të disa shkollave 9-vjeçare të qytetit, të cilët përmes këngës sollën atmosferën dhe emocionet e festave të Nëntorit.
Por, përtej performancave artistike, ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja tejet e ulët e shkollave.
Nga 26 shkolla 9-vjeçare që ka në juridiksion Bashkia Lushnjë, në këtë aktivitet u përfaqësuan vetëm pesë prej tyre: shkolla “Skënder Libohova”, “Kongresi”, “Gafurr Muço”, “Hysen Xheka” dhe një shkollë private e qytetit.
Mungesa e shkollave të njësive administrative ngre pikëpyetje mbi përfshirjen e tyre në aktivitetet kulturore dhe artistike që organizohen në data të rëndësishme kombëtare nga kjo qëndër .
Kjo është një situatë që kërkon reflektim nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, veçanërisht nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, për mënyrën e informimit, komunikimit dhe angazhimit të të gjitha shkollave në aktivitete të tilla e cila po zbehe pjesmarrjet në aktivitete të rëndësishme që zhvillohen nga kjo qëndër kultorore e fëmijëve .
Pavarësisht pjesëmarrjes së kufizuar, shkollat e pranishme ishin përgatitur denjësisht. Nën drejtimin e mësuesve të muzikës, nxënësit interpretuan disa këngë patriotike, duke dëshmuar përkushtim dhe talent artistik.
Një nga momentet më të veçanta ishte interpretimi i vogëlushes Alis Rexhepi, e cila solli me zërin e saj një këngë të repertorit të këngëtares së madhe lushnjare Vaçe Zela.
Aktiviteti vijoi nën ritmin e këngëve patriotike, duke përcjellë emocionet dhe ngjyrat e festave të Nëntorit.
Megjithatë, përtej suksesit të nxënësve pjesëmarrës, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: pse në një aktivitet që synon të përfshijë fëmijët e gjithë bashkisë, pjesa më e madhe e shkollave mbetet jashtë tij?
Një çështje që meriton vëmendjen e institucioneve dhe një angazhim më të madh për aktivitetet e ardhshme kulturore në Lushnjë.