Me doza Heroine dhe Kokaine me vete, gati për shitje, arrestohet në afërsi të një shkolle të mesme në Kolonjë, 31-vjeçari, i arrestuar dhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
31-vjeçari posedonte një automjet me vlerë 50 000 euro, i dyshuar produkt i veprimtarive në këtë fushë.
Sekuestrohen automjeti dhe sasitë e lëndëve narkotike Heroinë dhe Kokainë, ndarë në doza.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer në koordinim me Prokurorinë, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi, në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin e koduar “Kontigjenti”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë, në afërsi të një shkolle të mesme në Kolonjë, shtetasi M. S.(K.), 31 vjeç, banues në Kolonjë.
Gjatë kontrollit fizik, 31-vjeçarit iu gjetën doza të lëndëve të dyshuara narkotike Heroinë dhe Kokainë, gati për shitje. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, u konstatua se posedonte 1 automjet tip “Audi SQ8” me vlerë rreth 50 000 euro, të cilin dyshohet se e ka përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.