Qytetarët dhe aktivistët e Fierit kërkojnë me ngulm pastrimin e lumit Gjanica, duke e konsideruar ndërhyrjen si vijën që ndan shpresën nga zhgënjimi për të ardhmen.
Prej më shumë se një dekade, lumi Gjanica ka qenë pasqyra më e zymtë e Fierit. Nga një rrjedhë e gjallë dikur, ai është kthyer në simbol të ndotjes, neglizhencës dhe shfrytëzimit të paturpshëm industrial.
Në vitet 2015–2019, qytetarët dëgjuan pa pushim premtime për pastrim dhe rehabilitim të lumit. Projektet u prezantuan me bujë, si ai “Recovered Earth Gjanica” në vitin 2018, ku u vendosën filtra për pastrimin e ujit. Por, pas një demonstrimi mediatik, filtrat u hoqën dhe gjithçka u la në harresë.
Në tetor të po atij viti, Komiteti Shqiptar i Helsinkit paralajmëroi për ndotjen e lartë, duke kërkuar nga Gjykata Administrative detyrimin e institucioneve për të identifikuar ndotësit dhe për të marrë masa rehabilituese. Vendimi gjyqësor erdhi, por ekzekutimi i tij mbeti në letër.
Në vitin 2020, media investigative Faktoje riktheu vëmendjen tek Gjanica, duke dokumentuar aromën e rëndë dhe mungesën e çdo mekanizmi filtrimi. Eksperti mjedisor Xhemal Mato e quajti atë një “zgjidhje për sy e faqe”, të papërfillshme për shpëtimin e ekosistemit.
Shtatori 2023 solli analiza laboratorike që konfirmuan prani të lartë hidrokarburesh në ujë. Institucionet nuk prezantuan asnjë plan konkret për pastrim ose rikuperim. Ndërkohë, në tetor 2023, policia procedoi penalisht drejtues të Albpetrol dhe Terra Oil për shkarkime të paligjshme në lum. Edhe pse kompanitë u gjobitën me miliona lekë, ato mohuan çdo përgjegjësi.
Ndërhyrjet e aktivistëve dhe shoqërisë civile kanë qenë të pakta, por të zëshme. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ndjekur rrugën ligjore në mbrojtje të qytetarëve, ndërsa ekspertë si Mato kanë folur hapur për dështimin e projekteve fasadë.
Një rol të veçantë ka luajtur Shoqata Ambientaliste “Zharreza”. Më 5 nëntor 2022, ajo publikoi një artikull ku dy figura të njohura, biologu Nikollaq Dumani dhe inxhinieri mjedisor Besmir Agalliu, denoncuan hapur kompanitë e naftës për përdorimin e ligjit të vetmonitorimit si mburojë për ndotjen. Dumani paralajmëroi për pasoja të rënda mbi biodiversitetin dhe shëndetin publik, ndërsa Agalliu e quajti situatën një “masakër mjedisore”.
Vetëm pak ditë më vonë, më 15 nëntor 2022, “Zharreza” organizoi në Sheshin Qëndror të Fierit një tubim qytetar për mbrojtjen e Gjanicës. Nën sloganin “Ujë vs Nafta”, banorë nga Fier, Patos e Ballsh u bashkuan në një thirrje të vetme për veprim urgjent.
Ky aksion, i mbështetur nga Leviz Albania dhe Agjencia Zviceriane për Zhvillim e Bashkëpunim, synonte të mobilizonte opinionin publik dhe të ushtronte presion mbi institucionet që prej vitesh kanë mbyllur sytë.
Besmir Agalliu, i pranishëm në protestë, tha se ky lum nuk është vetëm një problem mjedisor, por një kërcënim i përditshëm për jetën e njerëzve. Ai e përshkroi Gjanicën si një “kanal helmues” ku përzihen hidrokarbure, fenole dhe ujëra industriale, duke kërkuar reagim të menjëhershëm.
Aktivistët fierakë kanë treguar se ndotja e lumit nuk është thjesht një çështje ekologjike. Ajo është plagë sociale, ekonomike dhe shëndetësore. Kostoja e saj e padukshme shtrihet nga shpenzimet mjekësore e deri te ulja e vlerës së pronave pranë lumit.
Historia e Gjanicës është historia e premtimeve të pambajtura, e protestave të injoruara dhe e betejës së pabarabartë mes qytetarëve dhe një sistemi që mbron ndotësit.

Për Fierin, ky lum është më shumë se një rrjedhë uji — ai është vija purgatoriale mes një bote normale dhe një realiteti të helmuar. Përtej tij qëndron një shpresë për ajër të pastër, ujë të pastër dhe jetë të shëndetshme. Brenda tij, mbetet një përditshmëri e vështirë, ku çdo frymëmarrje dhe çdo pikë uji kujton se cilësia e jetës së fierakëve varet nga fati i Gjanicës.