Lezhë, gjykata liron nga qelia 47-vjeçarin e arrestuar për organizim kazinoje të paligjshme

Gjykata e Lezhës ka vendosur lirimin nga qelia të 47-vjeçarit Bledar Arapi, i arrestuar pak ditë më parë në flagrancë si përgjegjës i një kazinoje të paligjshme të zbuluar në një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta” në Lezhë.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe dëgjimit të palëve, gjyqtarja Eglantina Biba e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Bledar Arapit dhe ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Masa është caktuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 197/1 dhe 283/1 të Kodit Penal, siç ishte kërkuar edhe nga prokurorja e çështjes, Irena Sufaj.

Sipas vendimit të gjykatës, 47-vjeçari është urdhëruar të mos largohet nga banesa e tij në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë, ndërsa është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i tij nga ambientet e paraburgimit, për aq kohë sa nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.

Vendimi i gjykatës mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda afatit ligjor prej pesë ditësh.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033