Kultivoi bimë narkotike dhe fidanë kanabis, arrestohet 38-vjeçari në Poliçan

Policia ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Zgërbonjë, pas një hetimi proaktiv dhe kontrolleve të vazhdueshme në territorin e qarkut Berat.

Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan kanë konstatuar 107 bimë narkotike dhe 20 kubikë me fidanë të dyshuar Cannabis sativa. Bimët dhe fidanët janë asgjësuar në vend nga policia, përmes djegies.

Nga veprimet hetimore të kryera me metoda proaktive u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 38 vjeç, banues në Poliçan, i dyshuar si autor i kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas policisë, kontrollet antikanabis do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Berat, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme hetimore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033