Në lapidarin përkujtimor në fshatin Çukas të Lushnjës u përkujtua 82-vjetori i Betejës së Çukas, një prej ngjarjeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku forcat partizane u përballën me trupat gjermane.
Në këtë betejë dhanë jetën 14 luftëtarë të Brigadës së 4-t dhe Batalionit të 16-të, mes tyre edhe 19-vjeçarja fierake Liri Gero, e cila u bë një nga figurat e njohura të kësaj lufte.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të rënët, pranë lapidarit u zhvilluan homazhe dhe u vendosën buqeta me lule. Aktiviteti nisi me intonimin e Himnit Kombëtar, ndërsa më pas u ekzekutuan këngë partizane.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë veteranë dhe pasardhës të veteranëve, përfaqësues të Organizatës së LANÇ, Organizatës së Dëshmorëve dhe Shoqatës Peza, si dhe drejtues të institucioneve vendore.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu kryetari i Shoqatës Peza, Ali Haka, nënkryetarja e degës së LANÇ për Lushnjën, Hakile Nezha, kryetarja e Organizatës së Dëshmorëve, Vaselika Gjergji, si dhe kryetari i degës së Organizatës së LANÇ për Bashkinë Dimal, Nezir Vrapi.
Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetarja e Organizatës së Dëshmorëve, Vaselika Gjergji, e cila vlerësoi sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.