KUCOVË – NATA E TRETË E FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË FILMIT, MES KËNGËS, VALLES DHE TRADITËS.

Kënga, vallja dhe tradita i dhanë ngjyra të veçanta natës së tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit KIIFF, që po zhvillohet në qytetin e Kuçovës. Një mbrëmje ku arti i kinemasë u ndërthur me vlerat e trashëgimisë kulturore, duke sjellë atmosferë festive pranë sheshit të kinemasë.

Aktiviteti nisi me një program artistik, ku në tapetin e kuq, vallja tradicionale e zonës së Kuçovës u interpretua me mjeshtëri nga fëmijët dhe grupi i Ansamblit “Tradita Kozare”. Veshjet karakteristike dhe ritmet e valleve popullore përcollën bukurinë e traditave të trashëguara brez pas brezi.

Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin qytetarë, artdashës, kineastë, regjisorë dhe aktorë, të cilët ndoqën nga afër këtë ndërthurje të artit filmik me kulturën vendase.

Për fëmijët pjesëmarrës, vallja popullore mbetet një mënyrë për të ruajtur dhe përcjellë më tej traditat e krahinës, duke e kthyer dashurinë për artin në një lidhje të fortë me identitetin dhe historinë e zonës.

Pas përfundimit të programit artistik, të pranishmit u zhvendosën në sallën e kinemasë për të ndjekur filmat konkurrues të natës së tretë të festivalit.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i shoqëruar nga miq, drejtues institucionesh dhe pjesëmarrës të festivalit.

Në përmbyllje, drejtori artistik i festivalit, Skënder Jaçe, vlerësoi ecurinë e këtyre tri netëve, duke u ndalur te rëndësia e festivalit dhe roli i tij në promovimin e kinemasë dhe jetës kulturore në Kuçovë.

Kështu, nata e tretë e KIIFF-it dëshmoi se Kuçova mbetet një hapësirë ku kinemaja, muzika dhe tradita bashkohen për të promovuar vlerat artistike dhe identitetin kulturor të qytetit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033