Shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri ka shënuar një rënie të dukshme në vitin 2024, duke vazhduar një trend të ngjashëm që ka filluar që nga viti 1990.
Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, në nivel kombëtar, shtesa natyrore ishte pozitive vitin e kaluar, për shkak të rënies së mëtejshme të vdekjeve në krahasim me lindjet. Megjithatë, 7 qarqe të vendit kanë shënuar një shtesë natyrore negative, duke kontribuar në tendencën e përgjithshme të uljes së popullsisë.
Korça kryeson këtë listë, ku vdekjet kanë tejkaluar në mënyrë të ndjeshme lindjet. Në vitin 2024, qyteti juglindor regjistroi vetëm 1,155 lindje, ndërsa humbën jetën 1,929 persona, duke e lënë diferencën e shtesës natyrore -774 individë. Ky fenomen ka pasuar në disa qytete të tjera, ku rënia e popullsisë është bërë gjithnjë e më e dukshme.
Fieri renditet i dyti për rënien më të madhe natyrore të popullsisë, me 1,897 lindje dhe 2,481 vdekje, duke regjistruar një diferencë negative prej 584 individësh. Vlorë, Berat, Gjirokastër, Shkodër dhe Elbasan gjithashtu janë përfshirë në këtë tendencë të rënies së natyrshme të popullsisë, ku numri i vdekjeve tejkalon lindjet në përmasa të konsiderueshme.
Nga ana tjetër, disa qarqe, si Lezha, Durrësi, Dibra, Kukësi dhe Tirana, kanë arritur të mbajnë një shtesë natyrore pozitive. Në Tiranë, e cila ka një popullsi më të re se qarqet e tjera, lindjet kanë tejkaluar vdekjet me 3,047 më shumë, duke kontribuar në nivelin pozitiv të shtesës natyrore për të gjithë vendin. Durrësi dhe Dibra gjithashtu kanë shënuar shtesë natyrore pozitive, me 571 dhe 243 lindje më shumë se vdekjet, respektivisht.
Shtesa natyrore në Shqipëri ka pësuar një rënie të ndjeshme që nga viti 1990, kur numri i lindjeve ishte shumë më i lartë se ai i vdekjeve. Përpara pandemisë së COVID-19, shtesa natyrore ra në 6,624 persona në vitin 2019, kur numri i lindjeve ishte 28,561 dhe ai i vdekjeve tejkaloi 22,000. Kjo situatë u përkeqësua në vitin 2021, kur për herë të parë shtesa natyrore u bë negative, për shkak të pasojave të pandemisë.
Në vitin 2024, Shqipëria regjistroi një shtesë natyrore të moderuar prej 1,178 individësh, me 22,425 lindje dhe 21,147 vdekje. Megjithatë, parashikimet demografike për dekadat e ardhshme sugjerojnë një rënie të mëtejshme të popullsisë. Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria mund të humbasë deri në 25% të popullsisë së saj deri në vitin 2050, një ndikim i drejtpërdrejtë nga emigracioni i lartë dhe ulja e numrit të lindjeve.
Ky fenomen ka sjellë një rritje të ndjeshme të moshës mesatare të popullsisë, e cila ka ulet me 7.5 vjet ndërmjet viteve 2011 dhe 2023. Ky zhvillim demografik ka ndikime të thella në strukturën e shoqërisë shqiptare, veçanërisht në forcën punëtore dhe aktivitetet ekonomike.