Konflikti në Maliq tronditi gjykatën e Korçës, autori i penduar e i përlotur në sallën e gjygjit

Një 14-vjeçar akuzuar për vr*sjen e bashkëmoshatarit shpërthen në lot në gjykatë duke thënë se ishte i penduar dhe se nuk kishte dashur këtë pasojë.

Avokati i të miturit, Ledian Spaho, pas seancës gjyqësore në Korçë, deklaroi për mediat se klienti i tij, Enedio Guri, ka shfaqur pendesë të thellë për ngjarjen tragjike. Sipas tij, adoleshenti ka përsëritur disa herë se nuk kishte qëllim të kryente vr*sje dhe se gjithçka ndodhi si pasojë e një konflikti të çastit.

Gjykata vendosi masën e arrestit në burg për autorin e dyshuar dhe gjithashtu për babain dhe xhaxhain e tij, Edisonin dhe një tjetër anëtar të familjes, të përfshirë pas ngjarjes. Ndërkohë, për të miturit e tjerë të ndaluar, u vendos masa më e lehtë: mbikëqyrje prindërore dhe paraqitje të rregullt para gjykatës.

Në sallën e gjyqit, i akuzuari shpërtheu në lot, duke shprehur keqardhje të madhe për atë që ndodhi. “Nuk kam dashur të bëj vr*sje. Ishte një grindje e momentit. Jam shumë i penduar dhe i përcjell ngushëllimet e mia familjes së viktimës”, deklaroi Enedio Guri.

Edhe babai i autorit, Edison Guri, i cili u la gjithashtu në burg, shprehu keqardhjen e tij për humbjen tragjike dhe përcolli ngushëllime për familjen e djalit të vrarë. Ai theksoi se edhe familja e tij është e tronditur nga pasojat e rënda të ngjarjes.

Sipas mbrojtjes, vrasja e 14-vjeçarit në fshatin Pirg të Maliqit ka qenë rezultat i një konflikti të papritur dhe jo një veprim i planifikuar. Megjithatë, gjykata vlerësoi se pasojat e shkaktuara janë tepër të rënda për të justifikuar lirimin e autorit dhe familjarëve të tij.

Rasti ka tronditur opinionin publik në Korçë dhe më gjerë, duke hapur debatin mbi konfliktet mes të miturve dhe përgjegjësinë që mbajnë prindërit në raste të tilla. Hetimet pritet të vazhdojnë, ndërsa gjykata do të shqyrtojë më tej provat për të përcaktuar përgjegjësitë përfundimtare.

Ndaj Postimin: