Stoli ku u ul autori pas krimit, kthehet në memorial të kuq me mesazhin “Në kujtim të Gentianës”, si një thirrje kundër dhunës ndaj grave
Një akt simbolik dhe prekës ka marrë formë në Tolentino, Itali, ku komuniteti vendas ka vendosur të përkujtojë Gentiana Hudhrën, gruan shqiptare që u vra mizorisht nga ish-bashkëshorti i saj. Stoli ku Nikollaq Hudhra u ul pas krimit, është lyer me të kuqe dhe mban mbishkrimin “Në kujtim të Gentianës”, duke u kthyer në një monument kundër dhunës ndaj grave.
Vrasja ndodhi të shtunën në mbrëmje, në zonën Viale Benadduci, përpara kalimtarëve të shumtë, përfshirë edhe fëmijë. Autori, 55-vjeçari me origjinë shqiptare, vrau ish-bashkëshorten e tij, 45-vjeçaren Gentiana Hudhra, dhe më pas qëndroi ulur në stol duke pritur policinë. Nesër pritet që autoritetet italiane të shqyrtojnë vlefshmërinë e arrestimit të tij.
Në përgjigje të ngjarjes, administrata vendore e Tolentinos dhe kryetari i bashkisë Mauro Sclavi, në bashkëpunim me këshillin bashkiak, kanë organizuar një marshim publik. Demonstrata me titullin “Për Gentianën” do të mbahet nesër në orën 21:00, duke nisur nga Piazza della Libertà dhe duke përshkuar rrugët kryesore të qytetit deri në Viale Benadduci, ku do të zhvillohen edhe fjalimet institucionale.
Në ceremoninë përkujtimore pritet të marrin pjesë personalitete të rëndësishme si kryetarja e bashkisë, Maria Lina Vitturini, prefektja e Maceratës Isabella Fusiello, peshkopi Nazzareno Marconi, dhe presidenti i Rajonit, Francesco Acquaroli. Në përfundim do të bëhet edhe zbulimi zyrtar i stolit të kuq në nder të Gentianës.
Ndërkohë, qytetarët janë ftuar të marrin pjesë masivisht në këtë homazh publik. Në përkujtimin e zhvilluar më parë, shumë banorë të qytetit u bashkuan për të mbështetur familjen e viktimës. Një e afërm e Gentianës deklaroi me dhimbje: “Nuk mund ta dini sa shumë ka vuajtur ajo grua. Nuk është e drejtë”. Ndërsa vëllai i saj, Arturi, i cili erdhi nga Shqipëria, tha shkurt: “Motra ime e kishte raportuar tashmë”.
Në lot dhe tronditje, familjarët rrëfyen lidhjet me Gentianën, përfshirë tezen e saj Miranda, e cila jeton në Piacenza dhe shprehu dhimbjen për humbjen: “Nuk e kisha parë prej dhjetë vitesh, por flisnim çdo ditë”.
Presidenti i Rajonit, Francesco Acquaroli, përmes një deklarate u shpreh i prekur: “Një jetë e ndërprerë është një dhimbje e madhe për të gjithë komunitetin. Dhuna ndaj grave është një plagë që duhet ndalur me çdo kusht. Ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe kërkojnë përgjigje të fortë institucionale dhe shoqërore”.