Komedia e mirënjohur e autorit Leka Bungo, “Ëndërr në Papafingo,” do të ngjitet në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan për tre netë radhazi, më 16, 17 dhe 18 janar.
Kjo shfaqje vjen si rezultat i një bashkëpunimi mes Teatrit Bylis të Fierit dhe Teatrit “Skampa” në Elbasan, duke sjellë për publikun një tjetër dimension të ironisë dhe sarkazmës së Bungos.
Pas premierës së saj të suksesshme në Fier në nëntor, komedia do të prezantohet për herë të parë në Elbasan, duke prekur një dukuri shoqërore të njohur të periudhës para viteve ’90. Ngjarjet e veprës zhvillohen në vitet 1970 dhe vendosen në një vilë në Tiranë, ku jeton familja e një prej heronjve të luftës.
Historia përqendrohet te djali i heroit, një zetorist i thjeshtë në një kooperativë fshati, i cili papritur emërohet drejtor në një nga departamentet kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Së bashku me familjen e tij – bashkëshorten dhe vajzën – ai transferohet në një vilë që dikur i përkiste një ish-bashkëpunëtori të pushtuesve, duke krijuar një kontrast të thellë mes të kaluarës dhe të tashmes.
Vepra trajton me mjeshtëri një temë të ndjeshme të kohës: ndërtimin e “familjes së re socialiste”. Përmes një humori të hollë dhe dialogëve të fortë, komedia sjell në vëmendje tema si përmbysja e vlerave shoqërore, normat që thyen diktatura, çështja e pronave dhe pasojat që kjo periudhë historike ka lënë pas.
Në shfaqje marrin pjesë shtatë aktorë, të cilët përmes interpretimit të tyre krijojnë një përplasje të dukurive shoqërore dhe sfidave që shoqëruan atë periudhë të ndërlikuar. Me një regji të kuruar dhe një skenar të pasur me momente reflektimi e humor, “Ëndërr në Papafingo” synon të ofrojë një përvojë unike për publikun e teatrit në Elbasan.
Ky bashkëpunim ndërmjet dy teatrove përfaqëson jo vetëm një rikthim në skenë të një vepre të rëndësishme, por edhe një hap përpara në pasurimin e jetës artistike të qyteteve shqiptare. Për ata që duan të ndjekin këtë komedi të veçantë, teatrot premtojnë një mbrëmje plot argëtim dhe reflektim mbi të shkuarën e afërt të Shqipërisë.