Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme u zhvillua ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës nga Zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, tek ministri i ri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, pas ndryshimeve të ndërmarra në qeveri nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së saj, Koçiu e cilësoi këtë moment si një ndërrim stafetash me emocion, duke theksuar se emërimi i Lamallarit në krye të këtij institucioni përbën një rikthim në shtëpi, për shkak të përvojës së tij të gjatë dhe të rëndësishme në këtë dikaster. Ajo vlerësoi bashkëpunimin me stafin e Ministrisë dhe e konsideroi drejtimin e saj një nder dhe përgjegjësi të veçantë.
Koçiu nënvizoi reformat e ndërmarra gjatë mandatit të saj, përfshirë riorganizimin e aparatit të Ministrisë, avancimin e projekteve në Illyrian Guard, IdentiTek, Agjencinë e Pasurive të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, si dhe proceset që lidhen me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Prefekturat dhe Policinë Bashkiake. Ajo përmendi gjithashtu sfidat përpara Policisë së Shtetit, mes të cilave përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm dhe riorganizimi i strukturave të saj.
“Jam e sigurt se stafi dhe ekipi profesional i Ministrisë do të vijojnë të çojnë përpara punët e nisura. I uroj sukses ministrit Lamallari dhe secilit prej jush në përmbushjen e misionit të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve,” u shpreh Koçiu.
Nga ana e tij, ministri i ri Besfort Lamallari falënderoi Albana Koçiun për kontributin dhe drejtimin profesional të Ministrisë gjatë muajve të fundit. Ai e cilësoi emërimin e tij si një rikthim në shtëpi dhe njëkohësisht si nderin e jetës, por edhe si një përgjegjësi shumë të madhe.
“Rikthehem në shtëpi dhe gjej një ekip me të cilin ndaj vlera dhe përvojë të përbashkët. Ky është nderi i jetës. Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një nder i posaçëm. Do të vijojmë të çojmë përpara punët e mira të nisura dhe të forcojmë misionin tonë në shërbim të qytetarëve, për më shumë siguri, rend dhe integritet institucional,” deklaroi Lamallari.
Ministri i ri falënderoi gjithashtu Kryeministrin për besimin e dhënë dhe theksoi angazhimin për garantimin e standardeve të larta profesionale në Policinë e Shtetit dhe në të gjitha institucionet në varësi të Ministrisë së Brendshme.