Kisha e Shën Kollit në Perondi prezanton ekspozitë fotografike !
Një ditë më parë, përpara hyrjes së Kishës së Shën Nikollës në Perondi, u prezantua një ekspozitë fotografike kushtuar historisë dhe trashëgimisë kulturore të kësaj kishe të veçantë, e shpallur monument kulture që prej vitit 1963.
Pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i shoqëruar nga drejtues të institucioneve të Bashkisë Kuçovë, përfaqësues të kulturës, banorë të zonës dhe vizitorë të shumtë.
Kisha e Shën Nikollës, e ndërtuar mes shekujve XI–XIII, përfaqëson një nga vlerat më të rëndësishme historike dhe kulturore të zonës së Kuçovës, por edhe të vetë fshatit Perondi. Ajo vizitohet shpesh nga turistë vendas dhe të huaj, të apasionuar pas objekteve të kultit fetar dhe historisë së tyre.
Ekspozita solli fotografi, materiale arkivore dhe momente ndër vite, duke evidentuar rëndësinë historike, arkitekturore dhe shpirtërore të kësaj kishe. Përmes imazheve u pasqyrua jo vetëm historia e monumentit, por edhe lidhja e tij me komunitetin dhe traditat e zonës.
Organizatorët u shprehën se synimi i kësaj ekspozite është promovimi i trashëgimisë kulturore dhe vendosja e kësaj pasurie në hartën turistike të vendit, me qëllim tërheqjen e gjithnjë e më shumë vizitorëve.
Aktivitete të tilla konsiderohen një mundësi e mirë për të rikthyer vëmendjen ndaj monumenteve historike dhe për të nxitur ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.