Këshilli Bashkiak i Kuçovës zhvilloi mbledhjen e radhës për muajin korrik.
Në Bashkinë Kuçovë u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak për muajin korrik, e drejtuar nga kryetari i Këshillit, Aleksandër Ziu. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari.
Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe rendit të ditës, këshilltarët paraqitën problematikat dhe shqetësimet e komunitetit, ndërsa vijoi shqyrtimi i projektvendimeve të parashikuara.
Mes tyre u miratua ndryshimi i planit të buxhetit për blerjen e orendive për shkollën “Aleksandër Markacini”, bashkëfinancimi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur KIFF, si dhe përfaqësimi i Bashkisë Kuçovë në strukturat vendimmarrëse të Grupit Vendor të Veprimit “Zëri i Beratit”.
Këshilli miratoi gjithashtu projektin për ndërtimin e një muri gabion për mbrojtjen lumore në fshatin Sinec, si dhe ndërtimin e dy rampave mbi përrua në fshatrat Lumas dhe Luzaj. Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte emërtimi i “Parkut të Pishave” me emrin e Sotir Rafaelit.
Gjatë mbledhjes u paraqit edhe informacioni mbi furnizimin me ujë të pijshëm në territorin e Bashkisë Kuçovë, ndërsa u miratua edhe lista e pesë aplikimeve të para në kuadër të ligjit “Për Paketën e Maleve”, një nismë që synon zhvillimin e zonave rurale dhe nxitjen e investimeve.
Mbledhja u zhvillua me diskutime mes këshilltarëve dhe kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, i cili iu përgjigj pyetjeve dhe çështjeve të ngritura gjatë seancës.
Në përfundim, të gjitha projektvendimet e paraqitura në rendin e ditës u miratuan me votën pro të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Kuçovës.